Theu masën e sigurisë dhe tentoi të përdhunonte fqinjen, arrestohet 55-vjeçari

Policia e Librazhdit ka vënë në pranga një 55-vjeçar të shpallur në kërkim, pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kishte tentuar të përdhunonte fqinjen e tij.

Shtetasi I.F. u lokalizua dhe u arrestua në fshatin Urakë, pas një operacioni të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët lokalizuan në fshatin Urakë, kapën dhe ndaluan shtetasin I. F., 55 vjeç, për veprat penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’ dhe ‘Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura’, mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Sipas autoriteteve, 55-vjeçari ishte shpallur në kërkim më 8 korrik 2025, pasi kishte thyer masën e sigurisë dhe kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me një 25-vjeçare, e cila ishte fqinje e tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme hetimore.

Të Fundit