Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “All Included”, duke arrestuar një 41-vjeçar që ndodhej në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
I arrestuari, E.S., u kap në flagrancë jashtë banesës së tij, ku vazhdonte të shiste lëndë narkotike. Gjatë kontrollit personal dhe në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi:
103 gramë kokainë të ndarë në doza për shitje
940 euro dhe 23,000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal
Një armë të ftohtë, një bllokues valësh, një radio policie dhe municion luftarak
Njoftimi i policisë
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike, në doza, Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “All included”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në rrugë, shtetasin E. S., i cili kishte dalë nga banesa në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, që i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 41-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
103 gramë kokainë, të ndarë në doza për shitje
23,000 lekë dhe 940 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve
1 armë të ftohtë, 1 bllokues valësh, 1 radio policie, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.