Theth, banori me aftësi të kufizuara hyn mes fadromës: Mos m’i prishni shtëpitë

Ndërkohë që IKMT po vijon aksionin për heqjen e objekteve të vendosura pa leje në Theth, një nga banorët, i aftësi të kufizuara, u shtri në mes të rrugës duke kërkuar ndihmë urgjente nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, që të mos i prishen objektet prej druri.

Ai arriti të futet në mes të fadromës së IKMT dhe u shpreh se më mirë do të vdesë sesa t’i prishen shtëpitë prej druri që sipas tij i ka ndërtuar me kredi dhe borxhe.

“Nuk ka beton fare,” tha ai. “Unë jam i vdekur nëse mi prishin. Jam 200 milion lekë borxh. Ju lutem shumë, Edi Rama dhe Benet Beci, më ndihmoni.”

“I bëj thirrje shtetit të vijë të vërë dorë, se po më prishin shtëpitë prej druri, duke më nxjerrë në rrugë të madhe. Më mirë të më hipë fadroma sipër, të vdes unë më mirë. Të vijnë t’i shohin – janë të gjitha prej druri, me kredi e borxhe, dhe duan të mi prishin. Thirrje Edi Ramës, Benet Becit, ju lutem, live, bota mbarë të shohë çfarë po bëjnë. Jam i vdekur – 200 milionë borxh! Nën goma do futem këtu. Janë shtëpi druri. Kanë thënë të ndërtojmë pa beton. Ja ku janë! Duan të mi prishin. Ku të shkojmë? Unë po vdes nëse mi prishin, po vdes këtu. Thirrje për ndihmë Benet Becit, Edi Ramës – çfarë është ky muhabet, nuk ka beton fare.” – tha banori i Thethit, Bekim Koçeku.

Më pas foli edhe motra e tij. Ajo tha se kanë ndërtuar këto pesë shtëpi prej druri me kredi, dhe se nuk do e lëshojnë këtë vend, sepse është toka e babës dhe gjyshit të tyre.

“Kulla e ngujimit është e gjyshit tonë. Jemi ‘dem baba dem’ prej Thethi. As e kemi zaptuar, as e kemi marrë padrejtësisht. Na kanë thënë të ndërtojmë pa beton – s’ka beton, janë vetëm dërrasa dhe llamarina. Shikojeni vëllain tim – pa këmbë, pa dorë, e ka vra zoti. Tani po e vret dhe shteti. Na kanë stresuar dhe na kanë mërzitur. Ç’na duhet kjo jetë – për të përfunduar në spitale? Pasha të madhin Zot, do vdes nën fadromë. Një herë kam lindur, një herë kam për të vdekur.” – tha motra e personit me aftësi të kufizuara.

Kujtojmë se edhe këtë të mërkurë në Theth po vijon aksioni i IKMT për heqjen e objekteve të vendosura pa leje nga banorët e zonës.

Të Fundit