“The Archers”, një telenovelë radiofonike e BBC-së për jetën rurale angleze, dëgjohet nga mbi 4 milionë njerëz në një javë të zakonshme. Këtë verë, familja e famshme e serialit po mendonte të bënte pushime në Shqipëri. Deri së fundmi, vendi konsiderohej i rrezikshëm dhe i egër. Por ideja që “The Archers” mund të vizitojnë Shqipërinë pasqyron transformimin e saj në një destinacion turistik kryesor me pasoja të papritura.
Gjatë komunizmit, Shqipëria priste rreth 5,000 turistë në vit. Tirana kishte vetëm dy hotele për të huajt; në restorantet jashtë qytetit, menuja mund të përbëhej vetëm nga një kuti peshku toni me një qepë të njomë. Por deri në vitin 2014, vendi priste rreth 3.4 milionë vizitorë të huaj, ndërsa vitin e kaluar numri zyrtar arriti në 11 milionë. Ky numër është paksa mashtrues: shumë prej tyre janë pjesëtarë të diasporës shqiptare me pasaporta të huaja, që vizitojnë disa herë në vit dhe numërohen si vizitorë çdo herë. Megjithatë, është e qartë që turizmi po shpërthen.
Hotele dhe komplekse vilash po shumohen përgjatë bregdetit. Një aeroport i ri pritet të hapet së shpejti për të shërbyer Vlorën, një destinacion plazhi në jug. Edhe pse shqiptarët e diasporës nuk janë turistë klasikë, ata blejnë apartamente për pushime, shkojnë në plazh dhe dalin për të ngrënë si gjithë të tjerët. Agjencitë e pasurive të paluajtshme reklamojnë në rusisht. Italianët vijnë për shërbime dentare të lira.
Kosovarët tani ankohen se Turqia është më e lirë. Turizmi i tepërt po bëhet shqetësim, ndërsa vendpushime dikur të vogla si Saranda dhe Ksamil po mbushen me njerëz. Hotelet, për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, po punësojnë filipinas.
Bumi i turizmit po krijon dhimbje koke për një burim të kufizuar, ujin. Në parim, Shqipëria ka ujë mjaftueshëm. Por pas një shekulli mungesë investimesh, qytetet po përballen me mungesa. Me bum-in e ndërtimeve në bregdet, po vendosen tuba për të devijuar ujin nga brendësia e vendit. Banorët atje thonë se tashmë kanë pak ujë për vete dhe për fushat e tyre; tani ai po devijohet për të mbushur pishinat e të huajve.
Një rast i bujshëm ka të bëjë me planet për të devijuar ujin nga lumi Shushicë drejt zonës turistike të Himarës.
Pjesa më e madhe e Shushicës ndodhet brenda një parku kombëtar. Astrit Balilaj, kryeplaku i fshatit Kuç një nga mbi 30 fshatra protestues thotë se lumi dikur kishte më shumë ujë; ndryshimet klimatike po e zvogëlojnë atë. Zyrtarët lokalë i kanë bërë të ditura shqetësimet e tyre autoriteteve më të larta, “por u injoruam.”
Olsi Nika, drejtues i grupit ambientalist EcoAlbania, thotë se nëse Shushica humbet më shumë ujë, do të dëmtohet ekosistemi i të gjithë rajonit. Ai përmend gjithashtu restorante për turistët të ndërtuara në mënyrë të paligjshme brenda parkut dhe derdhje nafte nga puse të keqmirëmbajtura jashtë tij.
Vitin e kaluar, banorë të zemëruar në Dukat, në jug të Vlorës, bllokuan punimet për një projekt prej 9 milionë euro për të devijuar ujin drejt zhvillimeve luksoze buzë detit. Në mars, banorë të fshatit fqinj Tragjas u përplasën me policinë për të njëjtin projekt. Kryeministri Edi Rama thotë se ka ujë për të gjithë. Kjo do të ishte e vërtetë, thotë z. Nika, nëse shteti do të kishte planifikuar për afatgjatë.
“Qeveria kujdeset vetëm për interesat e veta,” thotë Salibe Daupi, që drejton një restorant lokal.
“Duhet të kujdesen për ne.”
Edhe kufizimi i turizmit mund të zemërojë vendasit. Javën e kaluar në Theth, një fshat malor në veri, protestuesit hodhën koktej Molotovi ndaj fadromave që po shembnin kabina të ndërtuara ilegalisht për alpinistët. Pronaret thanë se qeveria u kishte premtuar legalizimin e tyre.
Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it, ka pasur më shumë fat me qeverinë shqiptare. Ai dëshiron të ndërtojë një resort në Zvërnec, një zonë e paprekur mes Adriatikut dhe lagunës së Nartës, një strehë për flamingot.
Ai gjithashtu dëshiron të zhvillojë ishullin Sazan, 10 km larg. Pak para inaugurimit të Trump-it, Shqipëria miratoi planet fillestare për një investim prej 1.4 miliardë euro në Sazan.
Zvërneci, megjithatë, ndodhet në një zonë të mbrojtur. EcoAlbania po sfidon qeverinë në gjykatë mbi një ligj të ri që lejon zhvillimet luksoze në këto zona. Nëse planet e tij ecin përpara, z. Kushner do të presë që qeveria të sigurojë burime uji për të dyja.
Nika thotë se të luftosh të pasurit dhe të fuqishmit që zakonisht e marrin atë që duan në Shqipëri është rraskapitëse. Por shpresa, si uji, buron përherë. Derisa të devijohet.