Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, shërbimet e policisë kanë gjetur në një zonë të thellë dhe të pyllëzuar të fshatit Plan në Shkodër, 2 thasë me rreth 32.7 kg kanabis e tharë dhe e bërë gati për t’u transportuar me qëllim shitjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se kanabisi i përkiste një grupi kriminal prej 11 pjesëtarësh të identifikuar deri më tani, të implikuar në veprimtaritë e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike.
Gjatë këtij viti, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 5 pjesëtarë të grupit, si dhe ka gjetur në fshatrat Kir dhe Plan dhe asgjësuar në total 10 274 bimë narkotike në pronësi të këtij grupi. Vijon puna për të kapur pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.