Më shumë se dy gra në ditë diagnostikohen me kancer të gjirit në vendin tonë. Kjo është sëmundja tumorale më e përhapur tek femrat, ku vetëm vitin e fundit janë zbuluar 805 raste të reja. Në nisje të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, drejtoresha e sapoemëruar e ISHP-së nisi detyrën me një mesazh për gratë dhe vajzat, duke i ftuar për kontrolle periodike
Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë, por edhe shkaktari kryesor i vdekjeve tek gratë. Çdo vit në vendin tonë humbin betejën me këtë sëmundje 224 gra. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se rritja e rasteve vihet re tek grupmosha 50–70 vjeç, ku problemi mbetet diagnostikimi në stade të avancuara.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik flasin për 25 mijë mamografi të kryera gjatë një viti në të gjithë vendin. Gjatë depistimit rutinë janë zbuluar 50 raste me kancer të gjirit. Vitin e fundit është vënë re një rritje e rasteve edhe tek meshkujt, megjithëse në shifra shumë më të ulëta krahasuar me femrat. Gjatë vitit 2024 kanë rezultuar me kancer të gjirit 10 burra të moshës mbi 50 vjeç.