Sonda ‘Dart’ e Agjencisë Hapësinore Amerikane, NASA, është përplasur me sukses me një asteroid duke shkatërruar veten në këtë proces.
Përplasja ishte e qëllimshme për të testuar nëse shkëmbinjve hapësinorë, që mund të kërcënojnë Tokën, mund t’u ndryshohet kursi në mënyrë të sigurt.
Kamerat e sondës Dart kapën pamjen e përplasjes në objektin 160 metra të gjerë, të quajtur Dimorphos.
“Me sa mund të themi, testi ynë i parë i mbrojtjes planetare ishte një sukses”, tha Elena Adams, pjesë e misionit.
Sipas të dhënave të para, vendi ku u përplas sonda ishte vetëm 17 metra larg qendrës së asteroidit Dimorphos.
Nga pamjet e marra nga sonda, shkencëtarët thanë se asteroidi kishte formën e një diamanti dhe në disa pjesë të sipërfaqes së tij kishte gurë, por disa zona ishin të lëmuara.