Pas 8 apo dhjetë javësh qytetarët do të kenë mundësi të zbulojnë brenda disa minutash nëse janë apo jo të prekur me COVID-19.
Kështu ka siguruar drejtori i OBSH për Evropën, Hans Kluge gjatë një konference për shtyp në Tiranë.
“Pas tetë ose dhjetë javësh testet e shpejta do dorëzohen në Shqipëri. Do përpiqemi ta shpejtojmë procesin duke e shkurtuar këtë afat”, tha z. Kluge.
Në një analizë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për menaxhimin e pandemisë së COVID-19, Drejtori i OBSH për Evropën tha se njerëzit po lodhen nga kufizimet, megjithatë vlerësoi masat që mori Shqipëria në muajt e parë të pandemisë.
“Ishte nga të paktat vende që nuk pësoi një valë të parë sepse vendi hyri në kontrollin strikt, kemi vënë re se kjo politikë funksionoi. Tani situata është si në vendet të tjera, situata është nën kontroll, sepse ka pasur vende që ja kanë hedhur, prandaj kyçi është vigjilenca”, tha drejtori i OBSH për Evropën.
Në kuadër të forcimit të kapaciteteve për përballimin e pandemisë, mes OBSH dhe Shqipërisë u firmos një marrëveshje dyvjeçare si një mbështetje e drejtpërdrejtë nga OBSH.