Tentuan trafikimin e pikturave mijëra € nga Durrësi, 1 i arrestuar dhe 2 në kërkim

Policia Kufitare e Durrësit njofton se ka goditur një rast tentativë për trafikim të veprave të artit, ku janë sekuestruar 10 piktura me vlerë tregu rreth 25,000 euro.

Pikturat u gjetën gjatë një kontrolli të detajuar në një furgon që drejtohej nga shtetasi Kasem Qato nga Elbasani, i cili u arrestua në flagrancë pasi nuk mundi të paraqiste dokumente që vërtetonin origjinën dhe pronësinë e veprave.

Pas hetimeve të kryera, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas, 25-vjeçari Q. H., nga Fieri, dhe 53-vjeçari G. N., nga Durrësi, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Kasem Qatos në trafikimin e pikturave ndërkohë që policia vijon punën për kapjen e tyre.

Policia thotë se veprat e artit u sekuestruan në dalje të Shqipërisë

Ndaj autorëve rëndon akuza për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë

“Në vijim të punës së bazuar në analizën e riskut, të kryer nga Policia Kufitare e PKK Port Durrës, në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, furgoni me drejtues shtetasin K. Q.

Nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 vepra arti (piktura) me vlerë rreth 25 000 euro, të padeklaruara, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohen si bashkëpunëtorë të shtetasit K. Q., për trafikimin e pikturave. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.

Të Fundit