Policia ka arrestuar 2 personat që një natë më parë tentuan të vidhnin sende dhe vlera monetare në kishën e Ksamilit dhe ushtruan dhunë ndaj rojës.
Në kuadër të operacioni të koduar “Fortuna”, u kapën në flagrancë gjatë përpjekjes për t’u larguar, dy autorët e dyshuar, shtetasit E. Sh., 39 vjeç, banues në Sarandë dhe G. M., 49 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë tentativës për vjedhje, dy autorët e dyshuar kanë dëmtuar objekte brenda kishës dhe kanë dhunuar fizikisht rojën e kishës.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët vijon puna për identifikimin dhe kapjen, janë autorë edhe të vjedhjes së pesë banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq, ku kanë vjedhur sende të ndryshme dhe vlera monetare.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.