Tentuan të kalonin 26 mijë euro dhe paundë të padeklaruar në Rinas, procedohen dy persona

Këtë të hënë, në pikën kufitare Rinas janë konstatuar dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare. Sipas raportimeve nga policia, nga kontrollet u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 26 mijë euro dhe paundë.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht shtetasit D. Sh., 37 vjeç, dhe A. Z., 32 vjeç.

“Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15 000 paundë, të cilat synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të Fundit