Në kërkim autori kryesor i dyshuar, Haki Bajrami
Në fshatin Llakatund të Vlorës konfliktet mes një çifti të ndarë gati sa nuk kanë përfunduar në tragjedi.
Ish-dhëndri nga Kosova, Haki Bajrami dyshohet se pasi ka dhunuar anëtarët e familjes së ish-gruas, Lutfie Fanaj, i ka mbyllur brenda familjarët shtëpisë dhe më pas i ka hedhur benzinë duke djegur një prej dhomave. Flakët kanë djegur edhe banesën ngjitur, por fatmirësisht pa viktima në njerëz.
Por ai nuk ka vepruar i vetëm pasi bashkëpunëtorë të tij kanë qenë edhe 2 persona të tjerë.
Në tentativë për t’u larguar drejt Kosovës është arrestuar në Pikën Kufitare të Morinës njëri prej autorëve të dyshuar, 42-vjeçari Gëzim Bacaj, banues në Kosovë. Gjithashtu për këtë rast, u vu në pranga 32-vjeçari Durim Kelmendi, banues në Kosovë (shoqërues i 42-vjeçarit G.B) i cili dyshohet se duke patur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi atë.
Policia njofton se është shpallur në kërkim autori i dyshuar kryesor i kësaj ngjarjeje, 51-vjeçari, Haki Bajrami, banues në Kosovë. Vijon puna për kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve hetimore paraprake, bazuar dhe në kallëzimet e shtetasve të dëmtuar, dyshohet se shtetasi Haki Bajrami, në bashkëpunim me 42-vjeçarin Gëzim Bacaj, kanë tentuar të vrasin të moshuarën dhe nipin e saj të mitur (ish-vjehrra dhe thjeshtri i Haki Bajramit), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin e moshuara bashkë me nipin.
Këta të fundit kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e së moshuarës dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve Haki Bajrami dhe Gëzim Bacaj, si dhe “Moskalllëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit Durim Kelmendi.