Megaoperacioni “Tempulli 2” po vijon në mbarë vendin. Policia e kryeqytetit vuri në pranga 2 persona të shpallur në kërkim.
J.B., 33 vjeç dhe A.N., 22 vjeç të dy banues në Tiranë u kapën pasi Gjykata e shkallës së parë i kishte caktuar atyre masën e arrestit në burg për “Prodhim dhe Shitje narkotikësh”.
Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.
Vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 77 numri i shtetasve të ndaluar.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paund.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, u kapën dhe u ndaluan shtetasit J. B., 33 vjeç dhe A. N., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.