Laçi është tronditur pasditen e kësaj të shtune! Pesë person janë plagosur me armë zjarri. Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa një grua e kanë kapur plumbat aksidentalisht pasi ishte duke shitur qirinj pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Policia në një deklaratë zyrtare bën me dije se janë shoqëruar disa persona, ndëra është shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili është identifikuar.
“Rreth orës 13:30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë”, thuhet në reagimin zyrtar.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.