Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas i ka bërë thirrje Izraelit të hetojë trupat ushtarake të tij që hapën zjarr në afërsi të një grupi diplomatësh që ndodheshin të mërkurën në Bregun Perëndimor.
“Kam dëgjuar për incidentin e sotëm në Jenin, ku Forcat Mbrojtëse Izraelite qëlluan të shtëna paralajmëruese pranë një grupi diplomatësh që po i afroheshin kampit të refugjatëve në kuadër të një vizite të organizuar nga Autoriteti Palestinez”, ka deklaruar Kallas.
Ajo ka theksuar se, çdo kërcënim ndaj diplomatëve është i papranueshëm dhe se Izraeli, si nënshkrues i Konventës së Vjenës, është i detyruar të garantojë sigurinë e tyre.