Një 70-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali në lagjen 17-të të qytetit bregdetar.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se i plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur Fadil Hunda. Ndërsa autor i dyshuar është 31-vjeçari Adil Hizdri, i cili u arrestua në tentativë për t’u arratisur. Shkak për të shtënat policia thotë se u bë një konflikt i çastit, pa dhënë më shumë detaje.
Rreth orës 19.30, në një lokal në lagjen nr. 17, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit, Adil Hizdri, 31 vjeç, banues në lagjen nr. 17 Durrës, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Fadil Hunda, rreth 70 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve Operacionale dhe Shqiponja kapet në tentativë për t’u larguar dhe shoqërohet në Polici, për veprime të mëtejshme autori i dyshuar i plagosjes. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar dhe një shtetas tjetër, konkretisht shtetasin A.T, 56 vjeç, që ishte bashkë me autorin e dyshuar të ngjarjes në momentin kur ka ndodhur ngjarja”, thuhet në njoftimin e policisë.