Në 35-vjetorin e 8 Dhjetorit 1990, dita që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë u mbush me zërin dhe energjinë e brezit të ri.
Ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë të hënë dyert e Parlamentit u hapën për të rinjtë shqiptarë, të cilët zunë vend në karriget ku zakonisht ulen deputetët.
Salla e Kuvendit u gjallërua nga prania e dhjetëra të rinjve e të rejave, të cilët mbartnin në sy shpresë, ambicie dhe dëshirën për të parë Shqipërinë të ecë përpara. Mes tyre ishin edhe deputetët e rinj.
Fjalën e mori një prej deputeteve më të reja të kësaj legjislature, Zegjine Çaushi e cila u dha shpresë të rinjve se me punë dhe përpjekje ata mund të realizojnë ëndrrat e tyre, ashtu sikurse dhe ajo e ka përmbushur për të qenë pjesë e këtij Kuvendi.
“Tetë vite më parë ashtu si ju sot edhe unë isha në këtë sallë në një aktivitet. Gjatë aktivitetit pyesja veten a mos vallë do të jem unë këtë një ditë për të përfaqësuar qytetarët? Dhe ja ku jam këtu para jush, ëndrra ime është bërë realitet. Prandaj me shumë punë dhe besim gjithçka mund të realizohet”, tha ajo.



