Të rinjtë fokusohen tek bujqësia, Rama: Programi Kombëtar i Praktikave, një hap drejt punësimit

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës po jep rezultat konkret edhe për të rinjtë që duan të hyjnë në tregun e punës, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si bujqësia dhe zhvillimi rural.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale historinë e Havjola Rustemit, një 24-vjeçareje që, pas përfundimit të praktikës 3-mujore në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka siguruar një kontratë 1-vjeçare pune pranë këtij institucioni.

E diplomuar në Bioteknologji Molekulare dhe Industriale, Havjola e konsideron këtë eksperiencë si hapin e parë serioz në karrierën e saj profesionale. Ajo thotë se aplikimi në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës i hapi një derë të rëndësishme dhe se tashmë ndjen edhe më shumë përgjegjësi, pasi punon në një fushë delikate si siguria ushqimore.

“Jam shumë e gëzuar për mundësinë që më është dhënë. Patjetër që kjo shton edhe përgjegjësinë time, duke qenë se punoj në një sektor kaq të rëndësishëm si ai i sigurisë ushqimore. Ftoj të gjithë studentët t’u bashkohen thirrjeve të tjera për rritjen e tyre profesionale”, shprehet ajo.

Edhe Rama e ka cilësuar rastin e saj si një model suksesi për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në sektorë kyç të ekonomisë.

“Kjo është Havjola, e cila, pas praktikës 3-mujore në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe falë performancës së saj pozitive, ka fituar një kontratë 1-vjeçare përmes thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, duke vijuar kështu angazhimin në sektorin e shëndetit dhe mbrojtjes së bimëve”, shkruan Rama.

Rasti i saj veçohet si një tjetër shembull se si programi po kthehet në një urë konkrete mes universitetit dhe tregut të punës për të rinjtë në vend.

 

 

Të Fundit