E premtja e kaluar ishte një ditë e dhimbshme jo vetëm për familjarët e fëmijës 3-vjeçar që humbi jetën në ambientet e kopshtit ku shkonte për të mësuar, por të gjithë ne që jemi prindër apo kemi të afërm të cilët i lëmë në kujdesin e institucioneve të arsimit. Ky rast është një tragjedi dhe një tronditje shumë e madhe për të gjithë ne. Në emisionin “Rudina” në Tv Klan është realizuar një lidhje “Skype” me korrespondenten e Fierit Anila Sefa për Klan News në lidhje me këtë ngjarje që ka tronditur mbarë vendin.
Rudina Magjistari: Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, të ditë së premte, si ka ndodhur çfarë raportohet deri në këto momente?
Anila Sefa: Sot ka qenë dhe dalja e parë publike e familjarëve të vogëlushit, të cilët kanë kërkuar drejtësi pasi që në ditën e parë ata nuk e kanë besuar versionin. Ka qenë daja i pari që ka kërkuar drejtësi për nipin e tij. Në datën 7 Janar rreth orës 13:00, policia ka bërë me dije se një fëmijë ka ndërruar jetë në përpjekje për të marrë xhupin e tij. Kontakti me mjekun nuk është bërë i mundur, por me dajën, i cili nuk e ka besuar këtë version, por ka kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Unë kam qenë pranë familjes, prindërit kanë qenë të shokuar, por që në atë moment ata kanë hedhur hije dyshimi. Fillimisht, objekti arsimor nuk ka dhënë asnjë informacion dhe vetëm sot familjarët janë lejuar të hyjnë brenda në vendin ku fëmija ka ndërruar jetë dhe kjo ka qenë tronditja më e madhe për këto familjarë që nuk e kanë besuar. Sipas tyre, fëmija ka një gjatësi për të marrë me lehtësi çantën, fëmija peshonte 15 kilogramë dhe pesha e tij e rrëzonte.
Ngjarja, e cila ka ndodhur të premten, të shtunën është kryer arrestimi i edukatores, e cila ka qenë e vetme në kujdes të fëmijëve, në kujdes të 12 fëmijëve, madje ditën e shtunë, kishte prerë ditën e fejesës, të nesërmen do të fejohej. Ajo që i ka nxehur familjarët ka qenë fakti i kamerave, në fakt pasi kanë përcjellë fëmijën kanë kërkuar kamera, por në fakt ato nuk janë bërë të ditur. Ky ka qenë momenti kur ata janë acaruar dhe kanë hedhur dyshime.
Rudina Magjistari: Ti ke ndonjë informacion, a kanë qenë kamerat në gjendje pune?
Anila Sefa: Familjarët e tyre në Shtator e kanë regjistruar dhe pakti i parë që kanë kërkuar kanë qenë kamerat dhe kujdesja për fëmijën me edukatore dhe vetë drejtuesit e këtij institucioni kanë pohuar se kopshti është i pajisur me kamera. Faktet thonë se nuk ka pasur xhirime.
Ditën e sotme, siç e tha dhe nëna e vogëlushit, kopshti është hapur dhe kjo është e dhimbshme sepse shoqëria shqiptare duhet të reagonte, të paktën familjarët nuk duhet t’i kishin dërguar fëmijët e tyre, por nuk ka ndodhur kjo, ato i kanë dërguar dhe dyert e kopshtit kanë qenë hapur. Thuhet se edhe fëmijët kanë qenë edhe ditën e ngjarjes kur policia është futur në godinë në prezencë të fëmijëve. Është diçka e pazakontë që në sy të vogëlushëve të tjerë, është diçka e dhimbshme.
Një dyshim tjetër që e kam dëgjuar nga familjarët ka qenë se ka qenë një prind që e ka gjetur fëmijën e shtrirë pajetë. Ai ka hedhur dyshime se edukatorja nuk ka qenë e pranishme në momentin që ai kishte ndërruar jetë. Një prind ka gjetur fëmijën e shtrirë në tokë. Fëmija është dërguar pa shenja jete në spital. Megjithatë janë versione, të cilat do të zbardhen nga prokuroria, e cila në versionin aktual e quan një vdekje aksidentale që ka ardhur si rezultat i mbytjes. Ky version nuk është i besueshëm për familjarët e vogëlushit. Familjarët e fëmijëve në kopsht nuk kanë treguar se si trajtohen fëmijët në kopsht, se cilat janë kushtet, nëse kanë kamera apo jo. E lejueshme është që jo më shumë 7 fëmijë, ndërsa aty kanë qenë 12. Doja të ju bëja thirrje familjarëve të fëmijëve të tjerë në kopsht të flasin që të zbardhet e vërteta e ngjarjes./tvklan.al