Të miturit me monopatinë u futën me semafor të kuq, arrestohet shoferi i makinës që i përplasi: 41-vjeçari kaloi me semafor portokalli

Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar shoferin e automjetit që aksidentoi 3 të miturit që lëviznin me monopatinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në pranga u vu 41-vjeçari Ekerem Skureni. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas ekspertizës në vendngjarje ka rezultuar se të miturit, të ndarë në 2 monopatina kanë kaluar rrugën me semafor të kuq, ndërsa shoferi i makinës me semafor portokalli.

Ditën e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tre fëmijë të mitur nga 9 deri në 11 vjeç teksa po qarkullonin me dy skutera elektrikë, janë përplasur nga një makinë duke i hedhur të miturit disa metra më tej.

Fëmijët po qarkullonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në afërsi të Piramidës, ndërkohë makina vinte nga rruga e Elbasanit në drejtim të zonës së ish-Bllokut.

Dy prej të plagosurve, 9 dhe 11 vjeç, mësohet se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në spitalin e Traumës me dëmtime në krah dhe në këmbë. I treti, një 11-vjeçar është në gjendje të rëndë, pasi ka marrë dëmtime në kokë.

Skuterat elektrikë, ose monopatinat janë kthyer në një shqetësim serioz për blutë dhe mjekët, pasi ka një rritje të frishme të aksidenteve. Sipas policisë në 7% të aksidenteve janë të përfshira monopatinat, ndërkohë që mjekët shprehen se përplasja e drejtuesve të monopatinave është përgjithësisht e rëndë pasi nuk ka asnjë lloj mundësi për tu mbrojtur.

Në disa vende të Europës, për shkak të rrezikut është diskutuar për heqjen e tyre nga qarkullimi.

Të Fundit