Të infektuarit 10 ditë në Tiranë, ç’ndodhi pas telefonatës në Urgjencë.

“Pacienti 0”, të paktën siç është konsideruar tashmë 28- vjeçari P.K., i cili është diagnostikuar me koronavirus bashkë me të atin, ka qenë në lëvizje prej 10 ditësh.

Që nga momenti kur ka hyrë në territorin e Shqipërisë mesnatën e 26 shkurtit nga Pika e Kalimit Kufitar Muriqan, ku nuk është kontrolluar nga askush, 28-vjeçari ka mbërritur në Tiranë, konkretisht në rrugën “Irfan Tomini”, ku banon me familjen. Gjatë kësaj kohe, deri të dielën kur u izolua në Spitalin Infektiv, i riu ka qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje.

Për më tepër, ai rezulton të ketë në pronësi edhe një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, që frekuentohet rregullisht nga banorët e zonës. Deri tani nuk janë identifikuar zona të tjera që ai ka frekuentuar gjatë kësaj kohe, por mjafton fakti që ka një bar në atë zonë, për të ngritur një problem shqetësues për banorët.

Të painformuar rreth këtij fakti, klientë të zakonshëm të këtij lokali kanë vijuar edhe dje të frekuentojnë të njëjtin vend. Madje, gjatë gjithë paradites, aty kishte qytetarë të ndryshëm deri disa orë më vonë kur personeli i Institutit të Shëndetit Publik ka shkuar për të kryer dezinfektimin.

Vetëm pasi punonjësit e veshur, tashmë shkuan në ambientet e bizneseve të dy personave që rezultuan pozitivë me koronavirus për të bërë dezinfektimin. Në momentin që ata kanë kryer spërkatjen e ambienteve të jashtme dhe të brendshme lokalit në pronësi të 28-vjeçarit të infektuar me koronavirus bashkë me të atin, ky biznes është mbyllur dhe klientët domosdoshmërisht janë larguar.

NE SHKODER

Shqipëria tashmë është zyrtarisht në listën e vendeve të prekura me koronavirus. Dy shtetas 28 vjeç dhe 54 vjeç, babë e birë, kanë rezultuar të prekur me koronavirus dhe janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë. Këta dy shtetas, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, u tha se kanë kaluar përmes Pikës Kufitare të Hanit të Hotit.

Që në orët e para të mëngjesit, për katër orë me radhë, efektivët në Hanin e Hotit bënë kërkime, por nuk rezultoi të kishte kaluar asnjë shtetas përmes asaj dogane me ato të dhëna. Pas kërkimeve rezultoi se 28-vjeçari ka kaluar përmes pikës kufitare të Muriqanit më 26 shkurt, ndërsa kishte shkuar në Itali në janar të këtij viti. Shefja e Epidemiologjisë në Shkodër, Dhurata Hysi, tregon se 28-vjeçari nuk është kontrolluar kur ka hyrë në Shqipëri, sepse qyteti i Firences nga vinte ai nuk ishte asokohe në listën e kuqe.

MJEKJA

“28-vjeçari ka kaluar përmes Pikës Kufitare të Muriqanit më 26 shkurt, në orën 00:40. Ky shtetas, që ka ardhur me mjetin e tij, nuk është kontrolluar dhe nuk na rezulton në skedën e shtetasve të regjistruar nga ata që u bëhen kontrolle. Kontrolli nuk i është bërë për shkak se ai shtetas vinte nga qyteti i Firences në Itali, që në atë kohë nuk ishte në listën e kuqe që ne kishim dhe ka kaluar normalisht. Simptomat i ka shfaqur ditë më pas, çka tregon se ka qenë në fazë fillestare dhe më pas mund të ketë infektuar babanë e tij. Tashmë ne jemi duke kontrolluar të gjithë shtetasit që vijnë nga Italia, pa përjashtim, në mënyrë që të evidentojmë nëse ka ndonjë rast të prekur me koronavirus. Edhe sot kemi pasur një autobus nga zona e Lombardisë në Itali dhe i kemi kontrolluar imtësisht. Deri më tani nuk ka asnjë rast tjetër të dyshuar si të prekur me koronavirus. Natyrshëm që kemi shtuar masat dhe stafi mjekësor është këtu i pranishëm gjatë gjithë kohës. Në rast se ka ndonjë të prekur me koronavirus që evidentohet nga ana jonë, atëherë menjëherë ne kemi sistemin online dhe njoftojmë Institutin e Shëndetit Publik dhe vijohet sipas procedurave. Ajo që dua të them është se, kur intervistojmë qytetarët me pyetje të ndryshme, shumë edhe nuk tregojnë se nga vijnë dhe në këto raste është pak e vështirë, por ne po mundohemi maksimalisht”, tha dje shefja e Epidemiologjisë në Shkodër, Dhurata Hysi.

Të Fundit