Artur Tahiraj, një ndërtues nga Vlora, ka ngritur një denoncim të fortë për noteren Luljeta Cenaj, të cilën e akuzon, se ka shitur dy herë të njëjtat dyqane, fillimisht në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2020. Megjithëse denoncimi është bërë që në vitin 2022, Tahiraj dhe avokati i tij nuk kanë marrë asnjë informacion mbi ecurinë e hetimeve për katër vite.Rasti shtrihet edhe në ambientet e përbashkëta të një pallati, konkretisht korridori dhe shkallët, të cilat, sipas Tahirajt, janë shitur në favor të Ermira Cenajt, bashkëshortes së njërit prej ortakëve. Pamjet, e siguruara nga emisioni “Stop”, tregojnë, se këto ambiente janë kthyer në dyqan dhe përdoren për përfitime financiare. Për këtë çështje, Prokuroria e Vlorës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për ambientet e përbashkëta. Gazetari kontaktoi noteren Luljeta Cenaj për shpjegime mbi këto veprime, por ajo refuzoi të përgjigjej dhe u mbyll brenda zyrës së saj. Gjithashtu, u pyet edhe blerësja Ermira Cenaj për çmimin e blerjes, certifikatën e pronësisë dhe vendimin e asamblesë së ortakëve në vitin 2022, kur mandati i administratorit kishte përfunduar.



