Të bllokuar nga raketat, evakuohen 4 shqiptarë të tjerë nga Izraeli

Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani njofton se në orët e fundit janë evakuuar 4 qytetarë të tjerë që ishin bllokuar në Izrael, për shkak të pezullimit të fluturimeve dhe bllokimeve të porteve.

Hasani informon se shqiptarët u evakuuan përmes Jordanisë dhe Egjiptit dhe për këtë arsye falënderon autoritetet e këtyre vendeve.

“4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli – dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit – të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare.

Falënderojmë autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro.

Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona”, shkruan Hasani.

Të Fundit