Tare flet si drejtori i ri sportiv i Milanit: Një ëndërr që u bë realitet

Pas zyrtarizimit të tij si drejtori i ri sportiv i AC Milan, Igli Tare ka folur për herë të parë për mediat zyrtare të klubit, duke ndarë emocionet, objektivat dhe vizionin e tij për të ardhmen kuqezi. Ish-sulmuesi dhe ish-drejtuesi i Lazios u shpreh se kjo është një nga ditët më të rëndësishme të karrierës së tij, duke e cilësuar angazhimin te Milani si përmbushjen e një ëndrre që e ka ndjekur që nga fëmijëria.

“Milani ka një histori të lavdishme. E kam ndjekur që kur isha fëmijë. Familja ime, të gjithë xhaxhallarët ishin tifozë të Milanit, dhe kjo lidhje ka qenë gjithmonë e fortë. Tani që jam këtu, është diçka shumë domethënëse për mua”, u shpreh Tare, duke kujtuar se debutimi i tij në Serie A ndodhi pikërisht kundër Milanit dhe se fëmija i tij i parë lindi gjatë një ndeshjeje të këtij klubi.

I pyetur për qëllimet e tij në rolin e ri, Tare tha se synon të rikthejë Milanin në nivelet më të larta të futbollit europian: “Do të përpiqem të jap gjithçka që kjo histori të shkëlqejë sërish. Tifozët presin një reagim të fortë dhe kjo është ajo që duam të ofrojmë.”

Ai pranoi se një nga sfidat kryesore është zgjedhja e trajnerit të ri, pas një sezoni të mbushur me zhgënjime. “Erdha me ide të qarta dhe shumë entuziazëm. Duhet të mësojmë nga gabimet dhe të fillojmë me energji të re. Milani kërkon rezultate të menjëhershme, është një klub që duhet të fitojë,” tha ai.

Tare theksoi rëndësinë e përkatësisë ndaj fanellës dhe nderimit të historisë së klubit: “Lojtarët duhet ta kuptojnë peshën që ka fanella e Milanit. Stadiumi San Siro dhe historia e klubit janë të shenjta. Kjo është një nga gjërat që dua të transmetoj menjëherë te skuadra.”

Duke folur për filozofinë e tij të punës, Tare theksoi rëndësinë e bashkëpunimit brenda strukturës drejtuese. Ai u shpreh se do të punojë ngushtë me Giorgio Furlani, Zlatan Ibrahimovic dhe Geoffrey Moncada për të ndërtuar një strategji afatgjatë, sidomos për zhvillimin e talenteve të rinj.

Në përfundim, Tare theksoi përkushtimin e tij të plotë për të rikthyer lavdinë e kuqezinjve: “Dua të shoh një Milan që djersitet për fanellën, që është i uritur për fitore. Do të jap gjithçka për ta bërë këtë realitet. Ndihem i emocionuar dhe i përmbushur, kam realizuar një ëndërr të vjetër”, përfundoi ai.

Të Fundit