Deputeti socialist, Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit ka folur me tone të ashpra lidhur me abuzimin e çmimeve që po bëhet në vendin tonë.
Braçe u shpreh se bujqit shqiptarë po trajtohen si skllevër pasi po detyrohen ta shesin produktin që prodhojnë shumë më lirë nga se sa po e shesin tregtarët në treg.
Ai iu drejtua edhe atyre që nuk i japin rëndësi bujqve dhe sapo vjen procesi zgjedhor japin premtime e lypin votën.
“Bujqësisë shqiptare i duhet bursa dhe i duhet tani, një instrument transparent-kombëtar, me qëllim që bujku të marrë djersën e tij. Është themelore, sepse po ndodh gjëma. E kuptoj që tani është vakti i drekës dhe të gjithë kanë ikur për të ngrënë, dhe më vjen t’iu kujtoj, realisht edhe majtas, edhe djathtas, se ajo domatja kushton vetëm 50 lekë, ajo qepa kushton vetëm 20 lekë, ai gruri që ka ndenjur tetë muaj në tokë pa asnjë lloj subvencionimi nga qeveria dje në Tërbuf kushtonte vetëm 36 lekë, pra 4-5-6-7 lekë me humbje. Nuk dëgjon askush dhe nuk reflekton askush për këtë fakt. Për çfarë i doni ata njerëz mo, që të ikin të punojnë si skllevër jashtë vendit e të mos mbjellin tokat e tyre këtu? Shteti të mos i lërë ata njerëz. Po talleni me gjakun, djersën dhe mundin e bujkut. Maskarenj që i flasin njëri-tjetrin në telefona dhe unë ju them se janë bujqit ata që na votojnë”,-tha Braçe.