Sipas një zëdhënësi të talebanëve, katër miqtë po “promovonin kulturën e huaj” dhe se burrat i ishin nënshtruar një “programi rehabilitimi”.
Katër burra afganë janë urdhëruar të paraqiten te “policia e moralit” e talebanëve të vendit dhe janë paralajmëruar për veshjen e kostumeve të frymëzuara nga seriali i famshëm televiziv Peaky Blinders.
Burrat në të njëzetat postuan video të vetes me veshjet e tyre (kapele të sheshta, kostume me tre pjesë) të frymëzuara nga seriali me protagonist Cillian Murphy, i cili bazohet lirshëm në një organizatë kriminale të vërtetë, ndikimi i së cilës në Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar, u rrit pas Luftës së Parë Botërore.
Një zëdhënës i talebanëve, Saiful Islam Khyber, shkroi në mediat sociale: “Ata po promovonin kulturën e huaj dhe po imitonin aktorët e filmit në Herat”, duke shtuar se miqtë i ishin nënshtruar një “programi rehabilitimi”.
Khyber i tha BBC- së se kostumet ishin “në konflikt me vlerat afgane dhe islame”.
“Vlerat në serialin Peaky Blinders janë kundër kulturës afgane”, tha ai. “Veshjet që ata mbanin nuk kanë aspak identitet afgan dhe nuk përputhen me kulturën tonë. Së dyti, veprimet e tyre ishin një imitim i aktorëve nga një film britanik. Shoqëria jonë është myslimane; nëse do të ndjekim ose imitojmë dikë, duhet të ndjekim paraardhësit tanë të drejtë fetarë në çështje të mira dhe të ligjshme.”
Ai i shpjegoi CBS News se burrat nuk u arrestuan, “vetëm u thirrën, u këshilluan dhe u liruan”.
Talebanët morën pushtetin në vitin 2021 dhe qeverisin përmes interpretimit të tyre të ligjit islamik të Sheriatit.




