Prodhuesi brazilian i avionëve, Embraer është shprehur se do të ndërtohet një fabrikë e re pranë Sao Paulos për të prodhuar taksi fluturuese elektrike që mund të ngrihen në qiell në vitin 2026.
Mjeti do të prodhohet nga dega Eve e kompanisë dhe do t’i përngjajë një helikopteri të vogël që mund të nxërë deri në 6 persona. Parashikohet se një udhëtim do të kushtojë 50-100 Dollarë për person.
Eve është shprehur se deri më tani ka marrë porosi për 3000 taksi.
Përgjatë këtij viti, kompania shpreson të ndërtojë një prototip. Ngritja dhe ulja e mjetit fluturues nuk do të ketë nevojë për një pistë por mund të përshkojë distanca të gjata si avionët. Motorët elektrikë ulin zhurmën dhe ndotjen krahasuar me avionët e zakonshëm.
Flitet se kështu do të reduktohet edhe trafiku në qytetet e mëdha duke mos shtuar kostot e konsumatorëve. Gjithashtu, taksitë fluturuese janë parë si alternativë për të transportuar mallra.
Fluturimet e para do të drejtohen nga një pilot, por kompania planifikon që më vonë të jenë me pilot automatik. Mjetet fluturuese do të jenë 100% elektrike dhe fillimisht do të përdoren në flotat e taksive.