Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera arrijnë deri në 57 mln euro me kursin e sotëm. Në vitet 2021-2022, arkëtimet kanë qenë në të njëjtin nivel. Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e shumës në fjalë mblidhet në Tiranë. Bashkia Durrës renditet e dyta me rreth 5% ndaj totalit, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë.
“Janë 1.2 mln familje, të cilat kanë paguar në vitin 2022, rreth 5.3 mld lekë, me një mesatare prej 4860 lekë në vit. Sigurisht që ndryshimi i çmimeve të referencës do të sjellë një taksë të shtuar vetëm për qytetarët e Tiranës, që mendohet ta çojë shumën totale nga 15 mld lekë”, thotë për emisionin Money, Bardhi Sejdarasi, ekspert i ekonomisë, gazetar.
TAKSA E PRONËS BËHET MË E SHTRENJTË
Taksimi sipas çmimit real të pronës është taksimi më i drejtë. Kjo është politika e një serë vendeve që aplikojnë këtë logjikë të pranuar gjerësisht edhe nga masa. E tillë, u miratua edhe formula që sugjeroi Banka Botërore në Shqipëri, e që u aktivizua që nga viti 2018. Qeveria vendosi që taksa të kushtonte sa 0.05% e vlerës së pronës.
“Taksa e pronës ishte subjekt i një reformimi rrënjësor, duke kaluar në vlerën e tregut. Kjo lidh me vlerën e taksës së ndërtesës, ndërkohë që u fut edhe komponenti i truallit si njësi. Sot, kaq vite pas, ne gjendemi në kushtet kur të ardhurat e gjeneruara nga taksat e pronës janë të barabarta me të ardhurat e gjeneruara nga taksat e ndikimit në infrastrukturë. Ka një ndryshim, sepse nqs TNI ka një ndikim të fortë dhe në masë vetëm në bashkinë e Tiranës, taksa e pronës është e shtrirë deri diku në të gjithë vendin. Është elementi kur bashkitë do të bazonin të ardhurat korrente, në mënyrë që të financonin projektet e investimeve. Kaq vite më pas, taksa e pronës, nuk arrin të japë efekte që priteshin nga bashkitë dhe nga vetë politikëbërja”, shprehet Merita Toska, pedagoge, eksperte Co-Plan.
“Tirana që është e ndarë në 32 zona kadastrale, sasia e parave është në proporcion me vlerën që ka kjo zonë si çmim reference. Tani kjo 0.05 nuk do shumëzohet me 1900, por do shumëzohet me 3000, kështu që kuptohet që shuma që do paguajmë është më e madhe, por ndërkohë”, shpjegon Suzana Guxholli, eksperte e ekonomisë
SA PAGUAJNË FAMILJET PËR TAKSËN E PRONËS
Sot taksa e pasurive të paluajtshme kushton mesatarisht 405 lekë në muaj në shkallë kombëtare. Rivlerësimi i çmimeve në Tiranë do ta bëjë më të shtrenjtë këtë taksë, me shtesën e cila nuk do të jetë uniforme në të gjitha zonat kadastrale.
“Është e diferencuar rritja, sepse është i diferencuar çmimi i referencës. Një zonë e ka 1900, diku 1000 euro m2 dhe si e tillë është e ndryshme”, thotë Guxholli.
Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme, veçanërisht nga taksa e ndërtesës janë rritur në 5 vite që nga koha e reformimit, por mungesa e regjistrave kadastralë, kanë bërë që arkëtimet të jenë në nivele të ulëta. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në mesatarisht 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të Europës Juglindore, me rreth 0.6% të PBB-së .
“Vazhdon të jetë problem çështja e kadastrës fiskale në Shqipëri me gjithë investimin e qeverisë dhe partnerëve. Vazhdojnë të mbeten problem të dhënat e pronave për 61 bashkitë. Çka ka sjellë kjo. Kjo do të thotë se e ardhura nga taksa e pasurisë është rreth 50 mln euro, çka do të thotë 1/3 mblidhet, kur potenciali është shumë i madh”, thotë Agron Haxhimali, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
“Kalimi në vlerën e tregut është një modernizim për mënyrën si administrohet taksa e pronës dhe patjetër që pritet të sjellë të ardhura më të lartë për bashkit. Megjithatë, duhet të kujtojmë që parakusht për aplikimin e kësaj metodologjie është hartimi i një kadastre fiskale. Element ky që sot nuk është përmbushur, cka patjetër që përkeqëson ose pengon arritjen e të ardhurave potenciale që mund të gjenerohen nga taksat e pronës”