Në datat 4-5-6-7 Gusht në Tiranë do të mbahet festivali “Sunny Hill” i organizuar nga familja e Dua Lipës, ku dhe marrin pjesë këngëtarë me famë botërore.
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se përfitimet ekonomike për Tiranën nga ky aktivitet do të jenë shumë të mëdha.
Sipas saj, kryeqyteti pritet të përfitojë deri në 50 milionë Euro në ditë.
Blendi Fevziu: A keni ju kalkulim se sa përfiton financiarisht Tirana nga një festival i tillë?
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani: Tirana prodhon mesatarisht në ditë 20 milionë Euro, të ardhurat që krijon Tirana sot. Me përllogaritje të faktit që do kesh me vizitorë të një niveli ose të një mase kaq të madhe, përllogaritet që në ditët e festivalit të dyfishohen, pra bëhet fjalë për të gjeneruar 40-50 milionë Euro në ditë fitim të Tiranës. Vetëm nga festivali. Gjithë kjo kërkon infrastrukturë dhe planifikim të mirëfilltë siç e bëmë edhe me skuadrat që erdhën.
Blendi Fevziu: E bllokon punën e bashkisë kjo gjë? Sepse është organizim me përmasa të mëdha.
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani: Fati ynë i madh është që për hir të së vërtetës kjo ndodh në një kohë kur puna e bashkisë është një punë mirëmbajtje, pra ne në Gusht realisht punojmë shumë për infrastrukturën por nuk jemi të penguar aq shumë nga trafiku dhe nga aktiviteti tjetër ekonomik i qytetit për shkak se shumica e njerëzve janë në qetësi, nuk ka shkolla të hapura, nuk ka aktivitete. /tvklan.al