Protestuesit e opozitës, pas goditjes me molotov të Kryeministrisë, u zhvendosën drejt selisë së Partisë Socialiste.
Gjatë zhvendosjes së tyre, ata i vunë flakën një stacioni autobusi dhe disa kazanëve të plehrave.
Ashtu sikurse edhe Kryeministria, selia e PS u bë target i goditjeve masive me lëndë piroteknike dhe molotov.
Në ambientet e jashtme të selisë rozë pati përplasje dhe incidente mes uniformave blu që kishin krijuar një kordon sigurie dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve për të shuar zjarrin, hedhja intensive e bombave molotov shkaktoi djegien e banerit të Partisë Socialiste në hyrje të godinës.
Një nga bombat molotov raportohet se shpërtheu mes efektivëve të policisë, duke detyruar ndërhyrjen e forcave speciale. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, duke shpërndarë turmën dhe detyruar protestuesit të zhvendosen.
Pas sulmit ndaj godinës së PS, protestuesit u zhvendosën drejt bashkisë së Tiranës.