Avioni që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përjetuar një incident të rrezikshëm të dielën, më 31 gusht, gjatë uljes në aeroportin e Plovdivit në Bullgari. Sipas autoriteteve bullgare dhe Komisionit Evropian, sistemi i navigacionit GPS i avionit u ndërpre për shkak të një sulmi të dyshuar në sistemin gps nga Rusia.
Për shkak të ndërhyrjes, piloti u detyrua të përdorte harta të printuara për të realizuar uljen e sigurt. Ndërhyrja është cilësuar si rrezik serioz për sigurinë e aviacionit, duke rritur shqetësimet për cenueshmërinë e teknologjive të navigimit në Evropë.
Kremlini ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa von der Leyen e ka vijuar vizitën e saj në Bullgari, pjesë e një turneu që synon forcimin e mbrojtjes së BE-së në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë.