Sulmet kibernetike nga Irani, Rama: Ne jemi të përgatitur që të tjerë do të vijnë

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “Wake Up America”, së bashku me ambasadorin Richard Grenell. Gjatë intervistës, Kryeministri Rama është pyetur dhe në lidhje me sulmet kibernetike nga Irani. Rama është shprehur pritet që vendi të përballet me sulme të tjera kibernetike, për të cilat ka thënë se jemi të përgatitur.

Pyetje: Së fundmi keni dalë me një deklaratë shumë të fortë, duke akuzuar Iranin për një sulm kibernetik, për sulme të shumëfishta kibernetike kundër Shqipërisë. Sigurisht, kjo bëri lajm në të gjithë botën. Ju ishit shumë i qartë me përjashtimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Cili ka qenë reagimi nga aleatët e NATO-s dhe cilat janë lajmet e fundit për këto sulme kibernetike?

Edi Rama: Dua ta bëj shumë të qartë se nuk jam unë që e kam akuzuar Iranin. Kemi prova të mbështetura në një punë mjaft të imët të ekspertizës ligjore të super skuadrës Microsoft. Për zbulimin e kërcënimeve, si dhe super skuadrës së agjencive të specializuar amerikane ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, shteti, Republika Islamike e Iranit, e cila ka sponsorizuar 4 grupe, një prej të cilave është një prej grupeve kryesore të terrorit kibernetik që qëndron pas sulmeve të Arabisë Saudite, Izraelit, Kuvajtit e kështu me radhë. Kështu që, nuk është një akuzë, është një fakt. Nga ana tjetër, kuptuam se ishte koha për të ndërprerë çdolloj marrëdhënie me këtë regjim sepse aktualisht nuk mund të lejonim që ambasada të vazhdonte të ishte në mes të kryeqytetit e të punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë.

Ajo që kemi nevojë tani është të përshpejtojmë të gjitha planet tona për të ndërtuar një mbrojtje kibernetike sepse edhe pas sulmit masiv të 15 Korrikut, patëm një tjetër dhe ne jemi të përgatitur që të tjerë do të vijnë sepse gjithkush e di që ky regjim është i angazhuar në këto lloj veprimtarish në mbarë botën dhe është mjaft shqetësuese kjo që po ndodh, ndërkohë që regjimi i përbashkët i mbrojtjes nuk është aty ku duhet.

Të Fundit