Sulm me thikë në metronë e Parisit: Tre gra të plagosura, arrestohet 25-vjeçari

Policia franceze arrestoi të premten një burrë të dyshuar për goditjen me thikë ndaj tre grave në metronë e Parisit.

Tre gratë u sulmuan në tre lokacione të ndryshme përgjatë linjës së metrosë Linja 3 që kalon nëpër qendër të Parisit, tha për AFP autoriteti RATP që drejton shërbimin e transportit publik.

Sulmet ndodhën midis orës 16:15 dhe orës 16:45 sipas orës lokale në stacionet Republique dhe Arts et Metiers, të dyja pranë lagjes Marais, dhe stacionin Opera, tha RATP.

“Të plagosurat u trajtuan shpejt nga shërbimet e emergjencës”, tha RATP.

Policia e Parisit tha se dy nga gratë e sulmuara u trajtuan nga shërbimet e urgjencës dhe u dërguan në spital dhe se nuk ishin në gjendje kritike. Ndërsa një grua e tretë u paraqit më vonë në spital për të kërkuar trajtim, shtuan ata.

Policia përdori pamjet e kamerave të mbikëqyrjes dhe mjetet e gjurmimit të celularëve për të gjetur sulmuesin e dyshuar 25-vjeçar në rajonin Val d’Oise në veri të Parisit, thanë prokurorët.

“Aktivizimi i gjelokalizimit të telefonit të tij celular çoi në arrestimin e tij vonë pasdite në Val d’Oise. Policia është në vendngjarje. Ekipet rezervë të sigurisë janë vendosur për të përforcuar sigurinë në vijë”, thanë ata.

Të Fundit