Sula: “Shqipëria Bëhet” – një kurth i Berishës; pse u largova nga Adriatik Lapaj

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka shpjeguar arsyet përse u largua nga lista e kandidatëve për deputetë të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Përmes një statusi në Facebook, Sula sqaron se, pasi u përjashtua nga listat e Partisë Demokratike, u kontaktua nga “Shqipëria Bëhet” për të garuar nën siglën e koalicionit të saj. Ai shton se e pranoi ofertën, duke menduar se po mbështeste një grup politikanësh të rinj, por u tërhoq vetëm disa ditë më pas.

Deputeti pretendon se vendosi të largohej nga koalicioni i Adriatik Lapajt, pasi nuk iu dha garancia që familjarët e vendosur në listën e mbyllur mund të jepnin dorëheqjen në rast se fitonin mandatin.

Sula theksoi se Partia Shqipëria Bëhet është një kurth i ngritur nga Sali Berisha për të marrë votat e elektoratit të djathtë dhe të pavendosur që kreu i PD nuk i merr dot.

Postimi i plotë:

Gjatë këtyre 72 orëve jam gjendur në një xhungël politike, mes miqsh dhe armiqsh, mes atyre që duan partinë dhe atyre që duan Shqipërinë.

Parlamentin e kam dashur dhe e dua, sepse aty është arena ku kam sjellë hallet e njerëzve – atyre me të cilët jam rritur dhe me të cilët po kaloj jetën. Shpesh, për këtë jam parë si njeriu i gabuar, aq më tepër kur kam tentuar që zërin e qytetarëve ta sjell në sallën e luksit.

Nuk e prisja që partia në të cilën kam besuar do të shpërblente kontributin tim me një pabesi, ashtu siç kemi parë të ndodhë vazhdimisht në këto 34 vite.

Pasi Partia Demokratike, ku unë nuk mbështes kryetarët, por opozitarët, nuk më dha vendin që i takonte zonës sime, u kontaktova nga formacioni politik i z. Lapaj. Shpreha gatishmërinë për të hyrë në garë me ta, duke vlerësuar faktin se janë një forcë e re politike. Mirëpo, fatkeqësisht, edhe z. Lapaj paska mësuar hilet para se të mësojë rregullat dhe, pa hyrë mirë në politikë, gënjen më shpejt sesa mendon.

Pasi më përfshinë në listë, më thanë se nuk mund të garantonin që personat e vendosur në listën e mbyllur do të dorëhiqeshin nëse unë fitonja mandatin. Pra, edhe pse isha kandidati me më shumë vota, nuk do të më hapej rruga. Kjo është në kundërshtim me atë që predikon z. Lapaj, i cili vendos babain në listë dhe thotë se e ka futur për ta tërhequr më vonë.

Por unë nuk pranoj padrejtësi. U largova sepse nuk mund të bëhem pjesë e një tjetër padrejtësie.

Tani dua t’u drejtohem mbështetësve të mi, atyre që më kanë mbështetur dhe më mbështesin:

“Shqipëria Bëhet” është një kurth i Dr. Berishës për të mbledhur vota të djathta, vota që ai vetë nuk mund t’i sigurojë. Duket se ka gjetur një talent të ri të mashtrimit, njësoj si ato sektet që premtonin takime me Zotin.

Edi Rama, me buzëqeshjen e tij ironike, e ka thënë qartë: “Demokratët, po nuk e pastruan ‘kënetën’ e Berishës, nuk do vijnë kurrë në pushtet.” Dhe ka të drejtë. Berisha është hajmalia e fatit të Edi Ramës. Plani i Berishës për të ndarë votat e djathta mes tij dhe Lapajt nuk i jep Ramës vetëm mandatin e katërt, por e bën atë mbret.

Gjatë 20 viteve në politikë, me ndërprerje në Parlament, kam qenë, jam dhe do të mbetem demokrat.

Por, për fat të keq, emrin tim nuk do ta gjeni në asnjë listë. Nuk do të më gjeni në listën e PD-së, sepse ai që nuk duron dot lirinë time dhe parimet e mia më la jashtë, pavarësisht se në katër vite kam qenë ndër deputetët më aktivë, pavarësisht se dola më i votuari në Elbasan në primare dhe pavarësisht se isha i pari që hapa siparin e takimeve madhështore në diasporë.

Nuk do të jem as në listën e atyre që ka nxjerrë Dr. Berisha (Lapaj), sepse edhe ai po ecën në gjurmët e mentorit të tij.

Berisha nuk ka interes të fitojë zgjedhjet më 11 maj; ai dëshiron vetëm të krijojë një grup parlamentar me besnikët e tij, të cilët do t’i bëjnë fresk edhe më 12 maj. Berisha shkeli me të dyja këmbët statutin e PD-së dhe premtimet e tij. U pa qartë se ai as nuk e ka në mend të mundë Edi Ramën në zgjedhje. Me kë do ta mundë? Me Jenisherin, Kostaq Papën apo Kujtim Gjuzin? Apo ndoshta duke e ndarë votën e djathtë mes tij dhe Lapajt?

Demokratë të ndershëm, që keni 12 vite që vuani: “Armiku” politik nuk mund të luftohet kur brenda kalasë kemi “kalin e Trojës”. Për të luftuar kundërshtarin, duhet të forcohemi brenda vetes.

Si mund ta arrijmë këtë? Rezultati i 11 majit do të na tregojë.

Më 11 maj, duhet të refuzojmë të përdoremi si mish për top për interesat e një personi, i cili, për të ruajtur pozitat e tij, po ndan votat e të djathtëve mes vetes dhe nismave të reja me filozofi të vjetëruar 34-vjeçare si ajo e Lapajt.

Të Fundit