Shqipërisë do t’i duhen të paktën dhe 48 vite për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Këtë thotë një studim i Institutit Epik në Kosovë që ka marrë në shqyrtim progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimore drejt BE-së.
Sipas studimit të bazuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian, instituti vëren se vendet e Ballkanit ndahen në 3 grupe sa i përket përgatitjes për anëtarësim në BE.
Në grupin e parë janë Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Këto vende konsiderohen “lider” të procesit të zgjerimit. Në grupin e dytë janë Kosova dhe Bosnja të cilat janë në fund të procesit të zgjerimit. Ndërsa, në mesin e këtyre dy grupeve qëndron Shqipëria.
“Nëse analizojmë progresin e vendeve të Ballkanit në zbatimin e reformave në kuadër të tre viteve të fundit, ajo çfarë shfaqet e qartë është një trend tejet i ngadaltë i reformave. Me këtë ritëm të reformave vendeve të Ballkanit do iu duhen nga 38 deri 68 vite për tu bërë gati për anëtarësim në BE”, thuhet në publikimin e fundit të Institutit Epik.
Sipas studimit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë më pak të përgatitura për anëtarësim në BE sa i takon kapitujve për financat dhe buxhetin, mjedisin si dhe mbrojtjen e shëndetit dhe konsumatorin.