Studimi: Një vaksinë e re për parandalimin e kancerit “gati për përdorim”

Një vaksinë “gati për përdorim” ka treguar premtime në parandalimin e rikthimit të kancerit pankreatik dhe kolorektal, kanë zbuluar studiuesit.

Vaksinat kundër kancerit kanë qenë objekt i kërkimeve premtuese vitet e fundit. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Angli ka testuar vaksina të ndryshme te pacientët përmes platformës Cancer Vaccine Launch Pad (CVLP).

Këto vaksina trajnojnë sistemin imunitar të trupit për të njohur qelizat kancerogjene, në mënyrë që ato të mund të identifikohen dhe shkatërrohen nëse rikthehen pas trajtimeve si kirurgjia, duke reduktuar kështu rrezikun e rikthimit të sëmundjes.

Shumë vaksina kundër kancerit, përfshirë disa që përdorin teknologjinë mRNA, janë të personalizuara sipas tumoreve të pacientëve.

Megjithatë, një studim ka sugjeruar se një vaksinë eksperimentale, jo e personalizuar, që tashmë prodhohet në shkallë të gjerë, mund të ndihmojë në parandalimin e rikthimit të kancerit pankreatik dhe atij kolorektal.

Nëse kjo konfirmohet nga prova të mëtejshme, ekspertët thonë se kjo qasje mund të jetë përfituese, pasi vaksina ka të ngjarë të jetë më e lirë dhe më e shpejtë për t’u siguruar sesa vaksinat mRNA, dhe gjithashtu më pak toksike se disa terapi të tjera.

“Pas një ndjekjeje afatgjatë të këtij studimi, arritëm të tregojmë se grupi i pacientëve që shfaqën një përgjigje imune kanë më shumë gjasa që kanceri të mos u rikthehet dhe të jetojnë më gjatë, krahasuar me pritshmëritë historike për pacientë të tillë,” tha Prof. Zev Ëainberg, onkolog në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, dhe bashkëautor i studimit.

Autorët vunë në dukje se 90% e personave me kancer pankreatik dhe 50% e atyre me kancer kolorektal kanë mutacione në gjenin Kras. Këto mutacione çojnë në prodhimin e proteinave të ndryshuara Kras, të cilat shkaktojnë ndarjen dhe shumimin e qelizave.

Në një artikull të botuar në revistën Nature Medicine, Ëainberg dhe kolegët raportuan se i dhanë një vaksinë të quajtur ELI-002 2P 20 pacientëve që kishin kryer kirurgji për kancer pankreatik dhe pesë të tjerëve që ishin operuar për kancer kolorektal.

Vaksina përmban peptide – zinxhirë të gjatë aminoacidesh, që janë blloqet ndërtuese të proteinave. Ajo funksionon duke trajnuar qelizat T të sistemit imunitar për të njohur dhe vrarë qelizat kancerogjene me mutacione që prodhojnë proteinat e ndryshuara Kras.

Në një ndjekje mesatare prej gati 20 muajsh, ekipi zbuloi se pacientët u ndanë në dy grupe: 17 prej tyre kishin një përgjigje të fortë imune ndaj vaksinës, ndërsa tetë kishin një përgjigje më të dobët.

U konstatua se grupi i parë kishte një periudhë më të gjatë përpara se kanceri të rikthehej dhe një jetëgjatësi më të lartë në përgjithësi. Katër nga 17 pacientët e këtij grupi vdiqën gjatë periudhës së ndjekjes, krahasuar me shtatë nga tetë në grupin me përgjigje më të ulët imune.

Megjithatë, studimi është në fazë të hershme, është kryer kryesisht për të vlerësuar sigurinë, përfshinte vetëm 25 pjesëmarrës, nuk kishte grup kontrolli dhe shqyrtoi dy lloje shumë të ndryshme të kancerit.

Megjithatë, ekspertët e cilësuan studimin si premtues. Profesor Sioë Ming Lee, onkolog mjekësor në University College London, i cili nuk ishte pjesë e studimit, sugjeroi që vaksina ELI-002 2P mund të kombinohet me lloje të tjera imunoterapie dhe mund të ndihmojë një gamë më të gjerë pacientësh.

“Me rezultate të hershme premtuese dhe ndoshta më pak efekte anësore sesa frenuesit oralë aktualë, kjo vaksinë kundër kancerit ‘gati për përdorim’ mund të zgjerojë opsionet e trajtimit për kanceret që shkaktohen nga mutacionet në gjenin Kras dhe meriton testime të mëtejshme në prova më të mëdha, përfshirë përdorimin e saj të mundshëm në kancerin e mushkërive,” tha ai.

Dr. Shivan Sivakumar nga Universiteti i Birminghamit, i cili punon me vaksina të bazuara në mRNA për kancerin pankreatik, tha se ishte interesante që kaq shumë pacientë në studim treguan një përgjigje të qartë imune ndaj kësaj vaksine jo të personalizuar.

Por ai theksoi se një përparësi kryesore e vaksinave të personalizuara mRNA është se ato nuk varen nga mutacionet në gjenin Kras.

Ai tha se tani është e rëndësishme të kryhen prova të kontrolluara të rastësishme me vaksinën ELI-002 2P dhe të ndiqen pacientët për një periudhë më të gjatë.

“Sa herë kemi ecur në këtë rrugë, duke u entuziazmuar shumë për shkencën? Por në fund të fundit, eksperimenti i vërtetë shkencor është te pacientët,” shtoi Sivakumar.

Të Fundit