Prindërit shqiptarë janë më të mirët në Evropë. Studimi i publikuar nga OBSH, për adoleshentët 11-15 vjeç e rendit Shqipërinë në krye për ndihmën dhe mbështetjen emocionale që prindërit ju japin fëmijëve të tyre.
“Veçanërisht në 11-15 që për psikën e prindit shqiptarë është moshë delikate, është moshë që fëmija duhet patur gjithmonë në vëmendje, duhet të jenë vigjilent për mënyrën si e zhvillojnë ato të përditshmen. Fakti është që në renditemi kaq lart dhe si rezultat i një mendësie të trashëguar, një kulture të përcjell nga brezi në brez”,-tha psikologia Entela Binjaku.
Ekspertët e OBSH, thonë se suporti i familjes i mbron ata nga probleme të shëndetit mendor.
“E mbron nga vetmia, e mbron nga ankthi, e mbron nga depresioni prania prindërore”,-tha psikologia.
Por për duhet gjetur e mesmja e artë dhe kur flitet për mbështetje ndaj fëmijëve pasi ka dy anë të medaljes.
“Jep më shumë siguri jep vetëbesim, jep më shumë aftësi që fitohen falë modelit prindëror, sikundër ka dhe rreziku që shpesh herë kur prindërit i tejkalojnë ato normat e kujdesit prindëror rrezikojnë që fëmijët ti bëjnë pak të paaftë për shumë aftësi që të kërkon jeta, shpesh i mësojë se sakrifica e të tjerëve është normale e presim këtë sakrificë nga të tjerët, vetë marrim më pak detyrime përsipër”,-tha Binjaku.
Edhe kur flitet për komunikimin me prindërit, veçanërisht nënën, u pa që adoleshentët shqiptarë e kanë më të lehtë se bashkëmoshatarët e tyre. Studimi nxori në pah se djemtë mbështeten më shumë se vajzat në të gjitha vendet, gjë që nuk është aspak surprizë për Shqipërinë.