Studentët e dy fakulteteve të rëndësishme në vend, ata të Shkencave të Natyrës dhe ata të Shkencave Sociale kanë bojkotuar mësimin dhe do t’i bashkohen protestës që ka nisur prej disa ditësh para Kryeministrisë, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve.
Në një dalje për mediat, kryetari i këshillit studentor ë Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dorjan Beqiri tha se studentët do të jenë çdo ditë për të mbështetur protestën dhe se do të jetë një zë i fortë i këtij tubimi. Ai në emër të studentëve parashtroi 3 kërkesa që duhet t’i jepet zgjidhje nga qeveria, siç është përgjysmimi i tarifave të masterit, heqja e tarifës së transportit për ta në linjat e urbaneve si dhe zgjedhje e një përfaqësuesi të studentëve në bordin e administrimit të fakultetit.
“Hidhemi në protestë për çmimet. Ne do dalim me 3 kërkesa që janë bazike për studentët në kohë krize. Kërkesa e parë; përgjysmimi i tarifave cikli i dytë master, që janë tarifa të larta. Zerim për abonenë studentore. Kërkojmë zgjedhje për përfaqësuesin e studentëve për bordin e administrimit. Ditën e nesërme do të nisim organizimeve, dhe do i bashkohemi protestave kombëtare çdo 17:00. Kemi bërë kërkesa për ato nevoja që kemi.”, tha ai. Ndërkohë, kolegu i tij i Fakultetit të Shkencave Sociale tha se studentet duhet të jenë në masë në shesh për të protestuar.
“Është bojkotuar mësimi në disa fakultetet, por jo në mënyrë masive. Sot në shesh duhet të jenë studentë në masë. Duhet të jenë në shesh dhe më pas do të shihet mënyra e organizimit. Në Orën 16:30 do mblidhemi te Sheshi Skënderbej. Tarifat tona janë të kripura, duam reduktim të tyre.”, tha ai.