Një fëmijë në kopshtin “1 maji” në Durrës tregon, sesi e ka qëlluar edukatorja shoqen e saj.Në Berat fermerët i hedhin domatet me arka në tokë. Landfilli në Vlorë është filmuar në flakë. Një mace është xhiruar, duke pirë verë e më pas i merren këmbët e nuk ngjit dot shkallët. Janë këto disa nga episodet, që shfaqen e komentohen në pjesën e parë të emisionit në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”.
Ndodhemi në lagjen e Collakëve, në banesën 4 katëshe të qytetarit Tasim Mata. Kjo banesë është kufiri ndarës midis Saukut dhe Farkës.Tasimi tregon, se prej 10 vitesh është furnizuar rregullisht me ujë nga Farka. Mirëpo, prej 4 muajsh, që kur është kthyer nga Belgjika, Tasimi nuk ka ujë. Është interesuar tek UKT-ja, ku i kanë thënë, se do të ndryshohet lidhja, por ende asgjë nuk është bërë.Tasimi po merr ujë te komshinjtë, të cilët furnizohen.Për këtë rast, gazetarja komunikon me Drejtorin e Përgjithshëm të Shpërndarjes në UKT dhe ai i premton zgjidhje, duke e lidhur me Drejtorin e Shpërndarjes, zona e Farkës Klajdi Cela. Në UKT premtuan, se brenda javës, do të zgjidhnin problemin e qytetarit Tasim Mata.
Në 9 korrik të këtij viti transmetuam rastin e një vajze, e cila ka përfunduar 2 ciklet e studimeve në fakultetin e ekonomisë. Për ciklin bachelor ka paguar tarifën e plotë, në një kohë, që duhet të ishte përjashtuar, pasi ka nënën invalide. Kur është informuar për këtë gjë, ka bërë një marrëveshje, për gjysmën e pagesës në studimet master.Ajo ka mbaruar provimet dhe 2 vitet master dhe ka mbrojtur edhe diplomën, por nuk i japin kartonin, me pretendimin, se nuk ka bërë pagesën e masterit.Pas interesimit të “Stop”, Administratori i fakultetit ekonomik, Ermal Haxhiaj, pranoi gabimin e bërë dhe sot vajza ka marrë diplomën e masterit.
Dion Albrahimi ka qëndruar 6 muaj në reanimacion sapo ka parë dritën e diellit në këtë jetë. Më pas bëri një ndërhyrje kirurgjikale në QSUT për zorrët. Prindërit e Dionit vunë re, se djali nuk po arrinte të ngrihej në këmbë dhe nuk po fliste. Rezonanca tregon, se truri i të voglit nuk furnizohet mirë me oksigjen.
Mjekët thonë, se Dionit i duhet ndërhyrje me qeliza staminale në Stamboll. Por kjo procedurë kushton shumë. Vetëm dy seanca shkojnë 20 mijë euro. Më pas duhet edhe 5 seanca të tjera. Familja e Dionit bën apel për ndihmë.