Stop është ndalur në Durrës, në lagjen numër 5, ndër më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit . Një pallat 6 katësh në këtë lagje, ka dëmtim në kollona, madje është mëjanuar dhe është afruar me pallatin ngjitur me të. Banorët tregojnë, se kanë ardhur disa grupe inspektimi dhe disa e kanë nxjerrë pallatin të banueshëm dhe të tjerët të pabanueshëm. Ata thonë, se kanë frikë të hyjnë brenda, ku kanë gjithcka dhe nga shteti nuk kanë marrë asnjë asistencë apo ndihmë, për shkak se në njësinë administrative numër 3 nuk gjendet akt-konstatimi për këtë pallat.Pas shumë përpjekjeve gjejmë akt-konstatimin, që vlerëson, se ky pallat është i pabanueshëm. Më pas banorët, të shoqëruar nga gazetari i “Stop” pajisen me dokument dhe shkojnë në bashkinë e Durrësit, për të bërë regjistrimin për bonusin e qirasë.
Sot është dita e Krishtlindjeve dhe Stop uron të gjithë shqiptarët për festë të bardhë.Klipi i vajzave, kënga e përzgjedhur dhe urimi e mesazhi i Saimirit e Gentit, shkojnë për paqe e mirëqenie për gjithë shqiptarët në këto krishtlindje, që vijnë pothuajse një muaj nga tragjedia e 26 nëntorit.
Jemi ndalur në fshatin Manëz të Durrësit, pasi prindërit e shkollës 9 vjecare “Zyber Sallaku” ndjehen të shqetësuar, që në oborrin e shkollës janë vendosur kontenierët për banorët e prekur nga tërmeti.Në drejtorinë e shkollës na thonë, që e kanë ngritur këtë probelm, por zgjidhja nuk është në kompetencën e tyre.Administratori Muharrem Sula thotë, se kontenierët janë vendosur aty nga emergjencat e Prefekturës Durrës dhe nuk sheh ndonjë rrezik në këtë mes. Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile të Prefekturës Durrës, Artur Lekbello thotë, se ky vendim është marrë nga Komiteti Ndërministror, meqë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Mjeku infeksionist Gentian Stroni, shpjegon, se nga grumbullimi i njerëzve në kontenier hasen shumë problematika dhe sëmundje nga ato të aparatit tretës e deri tek ato të rrugëve të frymemarrjes.Kjo, sipas tij, shton rrezikun për popullatën, ku janë vendosur kontenierët.