STOP-EMISIONI 80(Sezoni 11) 29 Dhjetor 2025-Blen e mobilon apartamentin, e hapin me force, Prokuroria vendos mosfillim hetimi.

Erjon Xhemali tregon, se në vitin 2017 ka firmosur një kontratë paraprake shitblerjeje me firmën “Globus Construction” me bashkëpronarë Sokol Mediaj dhe Spiro Pando, për blerjen e një apartamenti 1+1, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në Vlorë. Pasi bleu dhe mobiloi apartamentin, Xhemali u largua për Itali. Kur u kthye në verën e 2021, gjeti derën e apartamentit të mbyllur nga një zotëri, që pretendonte, se ishte pronari i truallit. Ndërtuesit i thanë, se kishte ndodhur një gabim, por më pas, nuk iu përgjigjën më telefonatave të tij.Xhemali denoncoi rastin në Prokurorinë e Vlorës për marrje prone me mashtrim, por prokuroria vendosi mosfillim të çështjes. Arsyeja ishte, se nuk kishte vepër penale, por një mosmarrëveshje juridiko-civile, që palët mund ta zgjidhnin në gjykatë, sipas kontratës noteriale. Kontrata paraprake dhe pagesat, që ai ka kryer, dokumentojnë qartë plotësimin e detyrimeve financiare nga blerësi, ndërsa kontrata e vitit 2016 midis ndërtuesve dhe pronarit të truallit tregon, se apartamenti ishte pjesë takuese e dikujt tjetër.

Teknologjia po zëvendëson gjithmonë e më shumë njeriun në profesione të ndryshme. Me një menu zgjedhjeje, qytetarët kanë provuar të selektojnë modelin e flokëve dhe më pas të fusin kokën në një automat, për të dalë me flokët e prera në pak minuta.

Eraldi është një qytetar nga Tirana, i cili tregon, se në vitin 2015 bleu një Volkswagen Golf 7 përmes një ndërmjetësi. Një vit më vonë, makina e tij u bllokua nga dogana, pasi rezultoi, se ishte paguar vetëm gjysma e taksave doganore. Eraldi ndërmori veprimet, për të liruar veten nga hetimi, duke provuar, se nuk kishte asnjë përfshirje në kontrabandë, dhe u shpall jashtë hetimit penal. Megjithatë, makina mbetet e bllokuar nga dogana, nuk mund të shitet dhe as të dalë jashtë vendit, ndërkohëqë taksat vazhdojnë të paguhen nga Eraldi.Kur u interesua për statusin e mjetit pranë DPSHTRR, iu tha, se makina kishte bllokim nga dogana dhe duhet të kontaktonte me doganën për veprimet e mëtejshme.Në fakt automjetit i është vendosur një gjobë për kontrabandë, e cila është sa dyfishi i vlerës doganore. Dogana kërkon, që qytetari ta paguajë gjobën, dhe heqja e saj mund të bëhet vetëm nëpërmjet gjykatës administrative. Avokati Klaudi Zholi thekson, se detyrimi nuk i takon qytetarit, për sa kohë personat përgjegjës, jane duke dhënë llogari para drejtësisë.

Të Fundit