Një denoncuese nga Tirana tregon, se Eriola Hoxha i ka kërkuar 38 milionë lekë, duke premtuar, se pasi të depozitoheshin tek Banka e Shqipërisë, shuma do të dyfishohej brenda 6 muajve. Por, paratë nuk u kthyen dhe nuk ekzistonte asnjë kontratë, as dokumentacion zyrtar , gjithçka ishte bërë dorazi e në mirëbesim. “Stop” interviston palët dhe siguron prova të shumta, duke përfshirë biseda, mesazhe dhe audioregjistrime, sipas të cilave Eriola Hoxhamban me shpresa denoncuesit, deri në pikën që betohet mbi librin e shenjtë “Kur’anin”, që do t’i kthejë paratë. Falë ndërhyrjes së gazetares së “Stop”, denoncuesit dhe Eriola Hoxha u takuan në ambientet e TV Klan dhe 38 milionë lekët iu kthyen denoncueses.
Raporti nuse-vjehërr është ndër marrëdhëniet më delikate në familjet shqiptare. Shpesh, tensionet lindin kur burri gjendet në mes të dy palëve: nga njëra anë mamaja, dhe nga ana tjetër gruaja, më të cilën ka ndërtuar jetën.Ne kemi pyetur qytetarët, se kë dëgjojnë më shumë mamanë apo gruan dhe përgjigjet e tyre janë plot humor e batuta.
Në Patos, Renato Aliaj, baba i një fëmije të sapolindur, ndeshet me një absurditet burokratik. Ai nuk mund ta regjistrojë djalin, sepse sistemi i Gjendjes Civile, e shfaq si jo banor të Patosit, edhe pse ai jeton në këtë qytet prej vitesh.Kur kërkon sqarime, përgjegjësja e Gjendjes Civile në Fier e pret me arrogancë, duke shfaqur bezdi, që Renato shfaqet me gazetarin. Në fakt problemi nuk është individual, por ka prekur edhe qytetarë të tjerë.Përgjegjësja e Gjendjes Civile në Patos, Afërdita Beqiraj, pranon se gabimi, nuk është faj i qytetarëve dhe se po punohet me urbanistikën e bashkisë për ta korrigjuar. Edhe kryebashkiaku i Patosit, Fation Duro, premton, se çështja do trajtohet menjëherë. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, problemi zgjidhet, fëmija regjistrohet dhe Renato falënderon stafin e programit.




