STOP-EMISIONI 70(Sezoni 11) 12 Dhjetor 2025-“Le punen e te gjitha per nje leter”, dokumentet e e-Albania nuk njihen ne Itali.

Në Rimini të Italisë, një qytetar shqiptar përballet me një situatë paradoksale: dokumentet, që i jep shteti shqiptar, nuk i njeh shteti italian. Ai i drejtohet emisionit “Stop”, duke shpjeguar, se banon në komunën San Giovanni dhe ka nevojë të regjistrojë certifikatën e martesës në Itali. Për këtë arsye, nga e-Albania ka shkarkuar certifikatën e martesës, e ka përkthyer, noterizuar dhe e ka pajisur me vulë apostile, siç kërkon praktika ndërkombëtare. Megjithatë, në sportelet e komunës në Rimini i thuhet, se certifikatat me vulë elektronike nuk pranohen, sepse nuk ka marrëveshje me vendet, që nuk janë pjesë e BE-së”.Ai thotë, se duhet të lerë punën, të vijë në Shqipëri dhe të marrë një certifikatë fizike me vulë të njomë. Pasi nuk merr dot zgjidhje nga komuna italiane, i drejtohet Ambasadës së Shqipërisë në Romë, por atje gjen vetëm një përgjigje të regjistruar, që të gjitha shërbimet konsullore ofrohen vetëm në e-Albania, përmes aplikimit online. Gazetarja e “Stop” kontakton AKSHI-n, institucionin përgjegjës për vulat elektronike, ku i thuhet, se dokumentet elektronike njihen ndërkombëtarisht, mjafton të jenë të apostiluara.

Më pas gazetarja pyet edhe në një njësi bashkiake në Tiranë, ku punonjësja shpjegon një procedurë jozyrtare, që është kthyer në “zgjidhje” emergjente: zyrtari i njësisë i dërgon email Ministrisë së Brendshme, duke njoftuar, se dokumenti është refuzuar jashtë vendit, dhe Ministria autorizon lëshimin e një certifikate me vulë të njomë, e cila më pas printohet dhe i jepet qytetarit fizikisht.

Një mace duket se është nxënësja më e re e një autoshkolle për mësimin e makinës dhe marrjen e patentës. Pozicioni i maces në timon është filmuar dhe videoja po bën xhiron e rrjetit. Një tjetër mace është filmuar duke masazhuar një qen.

Për të kuptuar, se cfarë ndodh, kur qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë, nuk u njihen dokumentat e gjeneruara nga ealbania, i drejtohemi Ministrisë së Brendshme, e cila konfirmon, se në rastet kur dokumenti elektronik nuk pranohen jashtë, lëshohet dokument me vulë të njomë. Për, më tepër, Ministria deklaron, se ekziston marrëveshje me Italinë për njohjen e vulave elektronike.Por kur pyetet Ministria e Jashtme, kjo e fundit nuk jep asnjë përgjigje për ekzistencën e marrëveshjes. Për pjesën e zgjidhjes, saktëson vetëm, se Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile, ka vendosur të lëshojë përkohësisht dokumente fizike, pasi problemi ndodh shpesh dhe pritet një takim në Romë me autoritetet italiane.Edmond Gjoleka, ish-drejtor i Gjendjes Civile, e cilëson këtë praktikë si të paligjshme dhe në shkelje të VKM-së, që normon këtë situatë e që përcakton se të gjitha dokumentet dhe shërbimet jepen vetëm online, për të shmangur standardet e dyfishta.Ai shpjegon se procedura ndërkombëtare është e qartë: modeli i dokumenteve elektronike dërgohet nga Ministria e Brendshme në Ministrinë e Jashtme, e cila ka detyrimin ta shpërndajë në të gjitha ambasadat dhe konsullatat në Shqipëri. Këto, nga ana e tyre, e transmetojnë tek institucionet e vendeve pritëse.

Të Fundit