Në Mjull Bathore, një qytetare, që ka blerë vilën e saj me kontratë sipërmarrjeje nga kompania GM shpk, po përballet me një situatë absurde. Ajo ka shlyer të gjitha detyrimet financiare, por kompania refuzon të firmosë kontratën përfundimtare të shitjes, duke e lënë blerësen pa certifikatë pronësie. Ndërkohë, gjatë kohës, kur certifikata e pronësisë figuronte ende në emër të firmës, GM shpk e ka vendosur vilën si kolateral për një kredi, pa dijeninë e blerëses.Situata agravoi më tej, kur kompania shembi murin rrethues të vilës për shkak të një leje ndërtimi për parkim nëntokësor, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës brenda pronës së qytetares. Ajo deklaron, se firma ka hequr edhe provat e shembjes, përpara se të mbërrinte prokuroria, duke kryer një tjetër shkelje të rëndë. Edhe pse ka bërë kallzim në polici dhe i është drejtuar gjykatës, ndërtuesi vazhdon të shmangë firmosjen e kontratës.Në përpjekje për të kërkuar sqarime, gazetarja e “Stop” u paraqit në zyrën e GM shpk, por punonjësit refuzuan bashkëpunimin, madje një prej tyre ofendoi gazetaren. Edhe financierja e firmës shmangu përgjigjet, duke kërkuar komunikim vetëm me shkrim dhe duke kërcënuar me thirrjen e policisë.Sipas avokatit Arben Llangozi, kompania ka kryer disa vepra penale: vjedhje me anë të mashtrimit, mashtrim me kredi, si edhe shkelje lidhur me lejen e ndërtimit. Ai kërkon, që të merren menjëherë masa për të ndaluar çdo veprim tjetër të paligjshëm nga ana e ndërtuesit.
Një raport i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të ish-presidentit Ilir Meta ka nxjerrë në pah disa mangësi. Por gjëja më qesharake është, se Metës nuk i lejohen në qeli frutat si rrushi e kumbullat, pasi sipas autoriteteve, ai mund t’i fermentojë e t’i bëjë raki.
Në Njësinë Bashkiake Nr. 9 në Tiranë, Marjadon Hito përballet me probleme për marrjen e trashëgimisë së motrës së tij, Kënaqesi Hito, e cila ka ndërruar jetë. Ai trashëgon një apartament dhe përveç të drejtave, përballet edhe me detyrimet, si faturat e ujit dhe dritave. Pas pagesës së energjisë, problemi vazhdon me faturën e ujit, pasi nuk gjendet kontrata e motrës.Marjadoni shpjegon, se në Drejtorinë Rajonale të UKT-së i është gjetur kontrata, por me një emër tjetër, që nuk përkon me identitetin e motrës, duke rezultuar në një debi prej 4 milionë lekësh. Ai ka kërkuar zgjidhje në Drejtorinë e Përgjithshme të UKT-së në Tiranë, ku iu kërkua dokumenti i trashëgimisë. Pas thuajse një viti, ai dorëzoi dokumentin, por në dy vjet të tjerë, nuk mori asnjë përgjigje. Gazetarja e “Stop” iu drejtua zyrës së UKT-së dhe përfaqësuesit të Njësisë 9, Rigers Memushaj, i cili premtoi, se pasi të verifikonte rastin, do t’i jepte një zgjidhje të shpejtë. Pas verifikimit, rezultoi, se sahati i ishte i zonjës, që ka ndërruar jetë, por i moshuari do të ketë praktika lehtësuese në pagesën e debisë.



