Rreth 200 mijë dollarë të mbledhura në TikTok dhe GoFundMe, me qëllim kurimin e Florjana Islamit, dyshohet, se nuk janë përdorur për këtë qëllim. Denoncimin e bën Entela Domi, e cila pasi kontribuoi vetë dhe ndoqi nga afër rastin, zbuloi, se fondet nuk përputheshin me realitetin mjekësor. Pasi kërkoi shpjegim, ajo vetë u përball me sharje, ofendime dhe kërcënime në rrjetet sociale.Sipas Entelës, në mars 2025 u hap një GoFund për Florjanën, e shtruar në spital në Tiranë, pasi ajo vuante nga fibroza cistike dhe kishte nevojë urgjente për transplant mushkërie në Itali. Ajo thotë, se 154 mijë dollarë u mblodhën përmes bankës dhe iu transferuan llogarisë së Florjanës, ndërsa 46 mijë dollarë të tjera u mblodhën nga të afërm dhe biznese.Në 8 prill, Florjana udhëtoi vetë drejt Italisë dhe u paraqit në urgjencë, ku u pranua për probleme me oksigjenimin. Entela, e cila komunikonte çdo ditë me mjekët si përkthyese, thotë, se zbuloi që Florjana nuk vuante nga fibroza cistike dhe nuk ishte në listë transplantesh. Diagnoza e saj lidhej me probleme kronike të rrugëve të frymëmarrjes, të lidhura me mungesën e qimeve në hundë, një problem i lindur.Ne u përpoqëm të marrim një qëndrim nga vetë Florjana Islamaj, por ishte e pamundur. Motra dhe vëllai i saj shmangën përgjigjet dhe refuzuan të japin sqarime. “Stop” ka siguruar edhe dokumentacion zyrtar nga Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe spitali në Itali, ku në të dyja rastet diagnoza e Florjanës rezulton të jetë problem kronik i rrugëve të frymëmarrjes, që kërkon trajtim afatgjatë, që është i mundur edhe në Shqipëri.
Ndotjet e detit Adriatik në Shqipëri, kanë nxjerrë në Dubrovnik të Kroacisë mbetje të të gjitha llojeve, përfshirë bidona plastikë.Po kështu bregdeti në Velipojë ka marrë pamjen e një landfildi plehrash, duke u kthyer në reklamën më të keqe për turizmin shqiptar.
Në Vorë, Atika dhe Spiro Kranja tregojnë, se prej qershorit, nuk kanë marrë pagesën e raporteve mjekësore, megjithëse Spiro, i operuar në kokë pas një diagnoze tumoriale, ka dorëzuar të gjitha dokumentet. Prej dy vitesh ai punon në Bashkinë Vorë, në sektorin e pastrim-gjelbërimit, por në fakt figuron punonjës i kompanisë private “Alko Impex”, të kontraktuar nga bashkia. Komunikimi i punëtorëve me institucionin është bërë përmes një punonjëseje të bashkisë, e cila fillimisht u tregua e gatshme të ndërhynte.Gjatë verifikimit, Sigurimet Shoqërore të Tiranës sqaruan, se kërkesa e parë për pagesën e raportit, ishte bërë me dokumente pa vulë elektronike, ç’ka e ka bllokuar procedurën. Mjekja e familjes së Vorës, Shkëndije Kuçi, refuzoi të jepte shpjegime për këtë mungesë, por institucionet konfirmuan, se pagesa kalon brenda pak ditësh, një lajm i mirë ky për familjen Kranja, që prej muajsh përballet me sëmundjen dhe zvarritjen administrative.



