Një mësuese nga Lushnja, e cila kandidoi për vendin vakant të nëndrejtorit në shkollën 9-vjeçare “Kamber Benja” në Këlcyrë, pasi kreu të gjitha fazat e konkursit, përfshirë edhe intervistën, u njoftua vetëm pas shumë insistimeve, se konkursi ishte pezulluar. Arsyeja zyrtare, që i thanë, ishte, se ishte shfaqur një aplikante tjetër, dosja e së cilës nuk ishte kontrolluar, pasi shkolla nuk kishte akses në email, për shkak të një kompjuteri të vjetër. Drejtori i shkollës Arben Zoto pranoi, se kandidatura e re kishte dërguar dokumentet me email, por sistemi nuk i hapte. Për kriterin e “Shkollës së Drejtorëve”, ai tha, se ishte zbatuar për të gjithë kandidatët, që morën pjesë.Ndërkohë, Rakip Pashollari, nëndrejtori i komanduar dhe një nga kandidatët në konkurs, pranoi, se nuk e ka Shkollën e Drejtorëve, madje nuk kishte dijeni, se ky ishte kriter i detyrueshëm. Sipas tij, pezullimi erdhi sepse konkursi doli i parregullt.Në ZVA Përmet-Këlcyrë, drejtoresha Anila Mihali e quajti pezullimin normal, duke thënë, se doli një dosje e re.Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e konsideron pezullimin të paligjshëm, madje në kufijtë e veprës penale, duke theksuar, se DRAP duhet të shpallë fituesine konkursit tashmë të zhvilluar.
Sot festohet dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe ne kemi pyetur qytetarët, se cfarë kanë bërë për këtë ditë. Shumica thanë, se kishin blerë flamurin kuq e zi, njëlloj sic bënë me kungullin e festës së Hallowinit. Edhe shtetas të huaj kënduan këngën e flamurit, duke iu bashkuar ditës më të rëndësishme të kombit shqiptar.
Shtetasi i huaj José Armando Castillo Santos, pas një dënimi në Shqipëri prej 3 vitesh e 4 muaj, e ka përfunduar kohën në burg, por nuk është kthyer dot në Honduras, sepse pasaporta dhe telefoni, të sekuestruara gjatë procedurave, nuk i janë kthyer. Prej më shumë se një muaji, ai mbahet në qendrën e mbyllur për të huajt, të cilën ai e përshkruan si “më e rëndë se burgu”, pasi vuan nga sëmundja HIV/AIDS.Nga Prokuroria është vënë në dispozicion urdhri i ekzekutimit për kthimin e sendeve personale, përfshirë pasaportën. Për zbatimin e urdhrit është ngarkuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila, sipas të dhënave, nisi të lëvizë vetëm pas intersimit të gazetares së “Stop”. Përgjegjësi i qendrës së mbyllur, nuk jep shpjegime për moskthimin e pasaportës.Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Shtetitthotë, se çështja është marrë në shqyrtim dhe është caktuar oficeri, që ka shkuar në Prokurori për ekzekutimin e vendimit.Avokati Arben Llangozie konsideron moszbatimin e urdhrit një shkelje të rëndë, e parashikuar në Kodin Penal, duke theksuar, se çdo zyrtar, që nuk e ekzekuton urdhrin, duhet të ndiqet për shpërdorim detyre.Tashmë, pas interesimit të “Stop”,dokumentacioni për largimin e tij drejt Hondurasit është përgatitur dhe është siguruar një leje kalimi nga përfaqësia e Hondurasit në Romë. Në datën 10 dhjetor, José Armando Castillo Santos, do të kthehet në Honduras.



