STOP-EMISIONI 58(Sezoni 11) 26 Nentor 2025-“Mos u opero, mos bej biopsi”, pacientja vdes pasi ndoqi mjekun popullor

Në Tiranë, një denoncim i mbërritur në emisionin “Stop” ngre dyshime, se farmacia bimore “Elif”, e drejtuar nga Hekuran Çela dhe i biri, u këshillon pacientëve të prekur nga tumoret e gjirit, apo stomakut, që të shmangin trajtimet mjekësore. Denoncuesi tregoi, se Çela u premton pacientëve, se kanceri shërohet vetëm me dietë pa nevojën e mjekëve specialistë. Madje, ai pretendon, se brenda gjashtë muajsh diagnoza zhduket, duke rekomanduar vaj farash lini, humulus dhe produkte të tjera bimore.Emisioni dokumentoi gjithashtu deklaratat e djalit të tij, Mirit, i cili po ashtu pretendon, se çdo lloj kanceri shërohet me mjekimet e tyre. Ai tregoi, se kishte ndaluar një paciente me kancer gjiri të bënte biopsi apo operacion, por ajo ndërroi jetë, pasi nuk ishte shumë korrekte në ndjekjen e këshillave të tyre.Nga ana profesionale, mjeket Brunilda Shiroka dhe Valdete Malaj theksuan, se për tumoret duhet ndjekur vetëm protokolli standard mjekësor dhe se kurat popullore jo profesionale, shkaktojnë humbje të rrezikshme kohe për pacientët.Përballë kameras së “Stop”, Hekuran Çela mohoi përgjegjësitë, por regjistrimet e mëparshme e tregonin duke deklaruar, se kanceri i gjirit dhe ai i stomakut janë të shërueshëm vetëm me produktet e tij bimore dhe duke shmangur trajtimet mjeksore.

Pamje të tmerrshme kanë mbërritur në redaksinë tonë nga qyteti i Gjirokastrës.Në qendrën e qytetit, në zyrat e Adisa-s, pranë komisaritatit të Gjirokastrës, mbushur me dokumenta të hedhura përtokë, edhe pse ato kanë të dhëna sensitive të qytetarëve. Deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë situatë.

Më 30 tetor 2025, Haki Sala u shtrua në QSUT, në Pavionin e Urologjisë, për një ndërhyrje të planifikuar. Gjithçka shkoi sipas protokollit. Operacioni u realizua me sukses dhe i vendosën kateterin e parë, që më pas u hoq normalisht. Më pas iu vendos kateteri i dytë, dhe pak momente më vonë, kur Vera Sala, gruaja e tij, zbriti për të blerë dicka , Haki Sala zhduket nga dhoma e spitalit.Vera tregon me shqetësim, se askush nuk e kishte parë të shoqin, as në spital, as rrugës, as në shtëpi. Policia e Komisariatit 4 erdhi vetëm pas pesë orësh, por pa bërë asgjë konkrete. As kamerat nuk u hapën menjëherë. Mjeku specialist, që e kishte operuar Hakiun konfirmoi, se pacienti nuk kishte asnjë sëmundje mendore. Në përpjekje për të gjetur Hakiun, Vera kontaktoi Policinë. Shefi i Komisariatit 4 konfirmoi, se kishte nisur kërkimi, ishin afishuar fotografitë e Hakiut në të gjithë Shqipërinë, por deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion. Situata ka shkaktuar tronditje dhe dyshim për sigurinë e pacientëve në QSUT, pasi një person i shtruar dhe i operuar mund të zhduket pa lënë gjurmë.

Të Fundit