Në Tiranë pranohet gjerësisht nëpër biseda të ndryshme, se gëlon prostitucioni, edhe pse nuk është i ligjëruar. Për të verifikuar situatën, hipim në një taksi të rastësishme dhe pyesim taksistin, se mos ka numra prostitutash në telefon e të na i japë. Çuditërisht taksisti na thotë që kjo metodë me numra nuk funksionon më, por duhet të hysh në internet nëpër faqet “Escort Albania”. Taksisti na thotë, që Tirana është e mbushur me eskorta dhe mund të ketë rreth 1 mijë të tilla, që punojnë nëpër apartamente në fshehtësi.Shumë prej tyre janë me kombësi të huaj, nga vende të ndryshme të botës. Kështu, përmes rrjeteve sociale dhe numrave të publikuar në to, marrim kontakt me punonjëset e seksit në zonën e Mozaikut të Tiranës, në rrugën “Haxhi Dalliu” pranë bulevardit “Zogu i parë”, apo te Rruga e Kavajës. Vajza të reja nga Rusia e Kina ofrojnë seks për tarifa, që variojnë nga 80 deri në 140 euro ora.
Ish-ministri Ilir Beqaj ka shkuar sërish sot në komisionin hetimor parlamentar të shëndetsisë. Në nisje të punës së komisionit, deputeti demokrat Saimir Korreshi, kujtoi videon e bujshme të transmetuar në “Stop”, ku banorë të zonave rurale bënin thirrje, që njerëzit të bënin ketchupin, duke e ngatërruar me check upin, apo kontrollin shëndetsor rutinë.
Një student i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, dega Mekanikë e impianteve industriale dhe bujqësore, është drejtuar në redaksinë tonë për një ankesë lidhur me lëndët, që po zhvillohen. Studenti shprehet, se po zhvillojnë lëndë, që s’kanë lidhje me degën, ku studiojnë dhe pedagogët nuk janë për këtë degë. Në vend të mësojnë për makinat, po mësojnë për shtëpitë e për ndërtimet.Nëpërmjet një videoje të regjistruar në klasë, pedagogia Blerta Gërmënji pranon, se nuk ka lidhje lënda me degën, por kështu është vendosur nga drejtuesit.Pedagogu Justim Mihani jep Vizatim Inxhinierik dhe Cad, por sipas studentëve, mësohet për shtëpitë. Rezarta Cara jep teknologji materiale, por për ndërtim, ndërsa Blerta Gërmënji jep elektrikën.Ne kërkuam ta verfikonim këtë situatë, por asnjë nuk ishte në universitet, as përgjegjësja e departamentit, as dekania dhe as rektori.