STOP-EMISIONI 42(Sezoni 11) 30 Tetor 2025-Diplomohen, por s’licensohen, studentët e Universitetit të Sporteve në rrugë.

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës denoncojnë se, megjithëse kanë përfunduar studimet në degën “Fizioterapi Sportive”, nuk mund të licensohen për të ushtruar profesionin e fizioterapistit pranë Urdhrit të Infermierit. Ata, prej më shumë se një viti, sorollaten mes universitetit, ministrisë dhe urdhrit, pa asnjë zgjidhje konkrete.Rektori Agron Kasa deklaron, se programet janë të akredituara, por Urdhri i Infermierit nuk njeh titullin e tyre, ndaj studentët nuk lejohen të hyjnë në provimin e shtetit. Urdhri kërkon një amendim ligjor për njohjen e këtij programi.Specialisti i arsimit Albano Zhapaj, argumenton, se programi i “Fizioterapisë Sportive” në Universitetin e Sporteve përputhet në mbi 90% me programin e fizioterapisë në Universitetin e Mjekësisë.

Në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri Edi Rama tha, se “Kur teshtin Amerika, bota kollitet. Por, kur këtë e bën Kina, bota futet në karantinë.” Rama e bëri këtë batutë, ndërsa fliste për ndryshimin e botës në ditët e sotme dhe varësinë globale ndaj superfuqive, por edhe efektin zinxhir, që ato shkaktojnë në ekonominë dhe sigurinë botërore.

Në Vorë, një i ri, Emanuel Kola, ka denoncuar Juljan Gjokën për mashtrim, pasi ky i fundit i premtoi, se do ta punësonte në një projekt ndërtimi rrugësh. Emanueli i dorëzoi Gjokës 16 milionë lekë, 2 milionë me kontratë dhe pjesën tjetër në dorë për punën e premtuar.Pasi mori paratë, Juljan Gjoka, i njohur edhe më herët për vepra penale të mashtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve, nisi ta gënjente Emanuelin. Ai i dërgonte mesazhe, duke u hequr si i sëmurë rëndë në spital. Madje, nga numra të ndryshëm telefoni, ai shtirej, sikur ishin persona të ndryshëm, që njoftonin për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore.Alfred Gjoka, familjar i Julianit, ka deklaruar, se ai ndodhet jashtë Shqipërisë, por i ka siguruar familjarët e Emanuelit, se lekët do t’i kthehen.

Të Fundit