STOP-EMISIONI 34(Sezoni 11) 20 Tetor 2025-Borxhi i papaguar ndaj qytetarit, bashkia Korçe ne qender te skandalit ligjor.

Refat Tuke tregon, se ka fituar me vendim të formës së prerë, pronësinë mbi një truall prej rreth 7,000 m² dhe 4,000 m² ndërtesë, të cilat më parë ishin të Ndërmarrjes së Nshn-së dhe aktualisht administrohen nga Bashkia Korçë. Gjykata ka detyruar bashkinë, të paguajë qiranë ndaj tij në shumën prej 198 mijë lekësh të reja deri në përfundimin e procesit të privatizimit, që nuk ka mbaruar.Megjithëse në vitin 2010 Bashkia Korçë nisi të paguante qiranë me këste, pagesat u ndërprenë në vitin 2011, kur Refat Tuke, u largua për Shtetet e Bashkuara. Pas një ndërhyrjeje të Kontrollit të Lartë të Shtetit në 2016, bashkia rifilloi pagesat, por në maj të vitit 2021, i ndërpreu sërish. Zyra përmbarimore e Korçës ka ndërmarrë masa, si bllokim thesari dhe ka kryer veprime ligjore, të cilat, Bashkia Korçë i ka kundërshtuar në gjykatë, por pretendimet e saj, janë rrëzuar. Për këtë çështje, Refat Tuke ka bërë edhe kallëzim penal, që po hetohet nga Prokuroria e Korçës.Nga ana e saj, Bashkia Korçë pretendon, se ka paguar detyrimet e saj deri në fillimin e procesit të privatizimit në tetor të vitit 2016 dhe për periudhën pas këtij viti përgjegjësia është e Ministrisë së Ekonomisë, që përgjigjet për përmbylljen e procesit.

Të dielën u mbajt në kryeqytet, Maratona e përvitshme e Tiranës, ku ishim me kameran tonë. Duke i pyetur pjesëmarrësit, shumica thonë, se rëndësi ka pjesëmarrja, jo domosdoshmërisht fitorja. Disa prej tyre treguan me humor, se kur gruaja u thotë të marrin një ëmbëlsirë, ikin me sprint, për të shmangur “dajakun”. Kur u pyetën, se çfarë u bën më mirë trupit dhe mendjes, shumica preferuan seksin ndaj vrapit.

Një incident i pazakontë ka ndodhur në gjykatën e Elbasanit, ku avokati Ulian Barjami është arrestuar brenda sallës së gjyqit. Ngjarja ka ndodhur pasi avokati, gjatë një seance gjyqësore, i është drejtuar prokurorit duke i thënë, se do të merrej me të, duke i bërë padi, një deklaratë, që është interpretuar si kërcënim nga gjyqtarja e seancës. Për pasojë, ndaj tij është marrë masa e arrestit të menjëhershëm, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin juridik dhe publik. Arben Llangozi, Demir Çiftja, Adriana Kalaja dhe Eugen Beçi janë shprehur publikisht kundër arrestimit të avokatit, duke e konsideruar këtë veprim si një shkelje të rëndë të të drejtave të mbrojtjes dhe një akt, që minon pavarësinë e profesionit të avokatit.Sipas tyre, rasti tregon për bashkëpunim të padrejtë mes gjyqtarit dhe prokurorit, duke theksuar ,se gjyqtari nuk duhet të jetë palë në proces, por arbitër i paanshëm.

Të Fundit